Një ditë, në zyrën time erdhi një familje për të kërkuar mbështetjen time. Djali i tyre, vetëm 3 vjeç, kishte nevojë urgjente për shërim jashtë vendit. Shuma financiare ishte e madhe dhe familja nuk kishte mundësi, sepse rëndohej nga gjendja ekonomike.

Ne filluam menjëherë një aksion në qytet. Njerëzit u mobilizuan, zemrat u hapën dhe arritëm të mbledhim rreth 5000 euro. Por e dinim që nuk mjaftonin. Ishte një moment i vështirë. Një ndjenjë pafuqie na kishte kapluar.

Papritur erdhi Asimi. I qetë, si gjithmonë. Na tha të ndalonim aksionin. Na tregoi se dikush kishte vendosur të mbulonte të gjitha shpenzimet, por donte të mbetej anonim. Ne këmbëngulëm të dinim kush ishte? Dhe atëherë, me një zë të mbushur me emocion, ai tha: “Është nëna ime.” Ajo nuk kishte fjetur gjithë natën. Ishte lutur për shërimin e atij fëmije. Në mëngjes kishte mbledhur të gjitha kursimet e saj,në vlerë prej 20,000 euro, dhe ia kishte dhënë djalit të saj për ti sjellë tek ne. Me një kusht të vetëm: të mos i përmendej emri. Kjo ishte Sabrije Cenaj. Kjo ishte madhështia e saj. Një nënë që jepte gjithçka, pa bërë zë. Një zemër që rrihte për të tjerët. Një shpirt që e kishte kuptuar thelbin e vërtetë të humanizmit. Sot nuk po i japim lamtumirë vetëm një nëne, por një shembulli, një vlere, një drite që do të vazhdojë të jetojë përmes fëmijëve të saj, përmes kujtimeve tona dhe përmes çdo jete që ajo preku. E dashur nënë Sabrije, faleminderit për gjithçka që ishe dhe që bëre. Prehu në paqe, sepse ke lënë pas një trashëgimi që nuk shuhet kurrë. I lehtë të qoftë dheu.