Ibish Neziri
Më 16 shtator 2026, në sallën e Dhomave të Specializuara në Hagë, katër herë u shqiptua formula „në emër të popullit të Kosovës“, dhe sa herë që e dëgjoja më lindte e njëjta pyetje, gjithnjë e më e rëndë: në emër të cilit popull po fliste kjo gjykatë? Në emër të popullit që e përjetoi luftën, që u dëbua nga shtëpia, që pa familjarët të vrarë, që ende kërkon të zhdukurit dhe që UÇK-në nuk e njohu nga dosjet e hartuara njëzet e shtatë vjet më vonë në Hagë, por nga lufta për të dalë nga robëria, apo në emër të një „populli“ procedural, emri i të cilit përdoret vetëm për t’i dhënë solemnitet një aktgjykimi?
Në njërën bankë ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa në një bankë tjetër, të padukshme por po aq reale, ishte vetë gjykata, sepse më 16 shtator nuk po provoheshin vetëm katër të akuzuarit, por po provohej edhe drejtësia që pretendonte t’i gjykonte ata. Sipas vlerësimit tim, pikërisht aty gjykata ra në provim.
PROVAT, DËSHMITARËT DHE HUMBJA E BESIMIT TE DREJTËSIA
Gjykata i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burg, Veselin me 18 dhe Selimin me 13, gjithsej 81 vjet, ndërsa në të njëjtën kohë i shpalli të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, sepse Prokuroria nuk arriti të provonte „përtej dyshimit të arsyeshëm“ ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Kjo nuk është një hollësi e parëndësishme, por një element thelbësor i aktgjykimit, për të cilin këto ditë është përsëritur shumë herë se është vetëm i shkallës së parë. Por ç’rëndësi ka këtu shkalla e parë apo e dytë, përderisa në këtë mekanizëm gjenden gjyqtarë dhe prokurorë që më parë kanë punuar në EULEX, si Vidar Stensland, sot gjyqtar i Dhomave të Specializuara në Hagë dhe anëtar i trupit që, në rastin „Drenica I“, kishte arritur ta dënonte Sami Lushtakun me 12 vjet burg për vrasjen e një personi për të cilin nuk dihej kush ishte, nuk kishte kufomë, nuk kishte varr, nuk dihej data e saktë, nuk dihej vendi i saktë dhe ekzistonte vetëm një dëshmitar. Kur dihet kjo, askush nuk mund të kërkojë t’i besohet një gjyqtari vetëm sepse mban togë.
E njëjta vazhdimësi shihet edhe në Prokurori: Cezary Michalczuk, i cili kishte qenë prokuror në hetimet e „Grupit të Drenicës“, është sot prokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Mosbesimin tim e shton edhe rasti i John Devaney, i cili kishte punuar në njësinë e administrimit të Qendrës së Paraburgimit dhe më vonë u shfaq në sallën e gjyqit si ndihmësprokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Vetë Devaney e konfirmoi se kishte punuar në njësinë e paraburgimit deri në fund të vitit 2022, ndërsa Hashim Thaçi, në seancën e 27 marsit 2025, e kundërshtoi publikisht këtë kalim dhe deklaroi se Devaney, gjatë kohës kur kishte funksione në paraburgim, e kishte fyer dhe kërcënuar fizikisht atë dhe të akuzuarit e tjerë, si dhe kishte pasur qasje në informacione që, sipas Thaçit, nuk duhej t’i kishte. Vetë kalimi i një personi nga struktura që administron paraburgimin në strukturën e Prokurorisë që ndjek penalisht të njëjtët të akuzuar është arsye e mjaftueshme për të ngritur dyshime serioze mbi ndarjen e roleve, konfliktin e mundshëm të interesit dhe për të thelluar mosbesimin ndaj vetë Dhomave të Specializuara. Këto nuk janë teori konspirative, por emra, funksione, procese dhe aktgjykime konkrete. Për këtë arsye, nuk shoh pse besimi duhet t’i jepet paraprakisht Gjykatës së Apelit dhe, në përgjithësi, Dhomave të Specializuara.
Problemi tjetër i madh është prova që publiku nuk e sheh, dëshmitari që nuk e njeh dhe dëshmia që jepet pas pseudonimit, fytyrës së fshehur, zërit të deformuar apo dyerve të mbyllura. Unë nuk pajtohem me tezën se një dëshmitar fiton një lloj paprekshmërie morale vetëm pse gjykata ia ka fshehur emrin publikut. Mbrojtja e një dëshmitari nga një rrezik real është një gjë, por dënimi i një njeriu për dekada mbi dëshmi që publiku nuk ka mundësi t’i vlerësojë plotësisht është diçka tjetër. Nuk mund të krijohet një sistem ku dikush e hedh gurin dhe e fsheh dorën, ndërsa i akuzuari mban mbi shpinë dhjetëra vjet burg.
Në këtë kontekst nuk mund të anashkalohen as Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Dokumentet konfidenciale nuk u morën prej tyre nga zyra e Prokurorisë, por, sipas vetë dokumenteve gjyqësore, tri pako me materiale mbërritën në selinë e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së nga burime të panjohura, më 7, 16 dhe 22 shtator 2020. Kjo do të thotë se dokumentet dolën tri herë nga sistemi, tri herë arritën te të njëjtët njerëz dhe tri herë burimi mbeti i panjohur për publikun. Atëherë lindin pyetje që nuk mund të mbyllen me një aktgjykim: kush i nxori dokumentet, kush kishte qasje në to, kush e theu sekretin i pari dhe kush dështoi t’i mbronte materialet që pretendonte se po i ruante në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve?
Gucati dhe Haradinaj u dënuan, ndër të tjera, për frikësim gjatë procedurës penale dhe për zbulimin e identiteteve apo të dhënave të dëshmitarëve të mbrojtur, por personi ose personat që nxorën dokumentet mbetën të panjohur publikisht. Mbrojtja e tyre e ngriti zyrtarisht edhe tezën e provokimit nga vetë organet e ndjekjes, të cilën trupi gjykues e hodhi poshtë si të pabazuar. Mirëpo fakti që gjykata e refuzoi atë tezë nuk e zhduk pyetjen politike dhe publike nëse rrjedhja e përsëritur e dokumenteve ishte vetëm një dështim spektakolar i sigurisë apo nëse dikush priste pikërisht reagimin që pasoi. Hedhja poshtë e kësaj teze nga trupi gjykues nuk e përjashton aspak mundësinë e një provokimi apo kurthi nga organet e ndjekjes.
Një gjykatë që flet „në emër të popullit të Kosovës“ duhet të jetë e gatshme t’i japë atij populli llogari dhe t’i shpjegojë se si është e mundur që dokumente konfidenciale të dalin tri herë nga sistemi i saj dhe të përfundojnë te njerëzit që më pas arrestohen. Nëse në ato dokumente ndodheshin të dhënat e dëshmitarëve, atëherë çfarë kuptimi ka mbështjellja e fytyrës, deformimi i zërit dhe dëshmia anonime? Këtu qëndron kundërthënia: institucioni që pretendon se po i mbron dëshmitarët ua cenon vetë mbrojtjen që në çastin kur dokumentet konfidenciale dalin nga sistemi dhe përfundojnë jashtë kontrollit të tij.
GJYKATA U KRIJUA PËR NJË ÇËSHTJE, PORGJYKOI ÇËSHTJE TË TJERA
Këtu duhet kthyer vështrimi edhe te vetë origjina e Dhomave të Specializuara. Raporti i Dick Martyt, me pretendimin tronditës për trafikim organesh, ishte baza politike mbi të cilën u krijua kjo gjykatë. Mirëpo gjykimi filloi pa akuzën për trafikim organesh dhe përfundoi po pa të. Me fjalë të thjeshta, gjykata u krijua për një çështje, ndërsa gjykoi dhe dënoi për çështje të tjera. Nëse kjo nuk quhet deformim i qëllimit fillestar të krijimit të saj dhe deformim i vetë drejtësisë, atëherë çfarë duhet quajtur?
Një gjykatë nuk mund të krijohet nën peshën e një akuze që trondit opinionin ndërkombëtar, të marrë prej saj legjitimitetin politik për ekzistencën e vet dhe pastaj, kur ajo akuzë nuk del në gjyq, të vazhdojë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Kjo nuk është një hollësi teknike, por një kundërthënie që prek vetë legjitimitetin e Dhomave të Specializuara.
Pikërisht për këtë është domethënës prononcimi i Natasha Kandiqit, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe një nga figurat më të njohura në dokumentimin e krimeve të luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Pas aktgjykimit ajo deklaroi se hetimi për pretendimet mbi trafikimin e organeve kishte çuar te disa gra moldave, të cilat nuk kishin lidhje me luftën në Kosovë, dhe se nuk kishte prova për ngritjen e një akuze të tillë. Ky është pohimi i Kandiqit dhe duhet trajtuar si i tillë, por ai e kthen në qendër një pyetje që nuk mund të fshihet pas zhvillimeve të mëvonshme të procesit.
Nëse pretendimet që prodhuan tronditjen më të madhe politike dhe që ndihmuan krijimin e klimës në të cilën Kosovës iu imponua kjo gjykatë nuk përfunduan fare në aktakuzën e procesit kryesor, atëherë është plotësisht legjitime të pyetet se çfarë ndodhi me bazën politike dhe morale mbi të cilën u ndërtua gjithë ky mekanizëm. Nuk mjafton që një institucion të ndryshojë objektin e ndjekjes gjatë rrugës dhe pastaj të kërkojë që publiku të harrojë se me cilat pretendime dramatike u hap ajo rrugë.
Kjo pyetje nuk e zhbën automatikisht juridiksionin e Dhomave dhe as aktakuzat që u ngritën më vonë, por e rëndon çështjen e legjitimitetit të tyre. Sa më e madhe të ketë qenë pesha politike e pretendimit fillestar, aq më e madhe është edhe përgjegjësia për të shpjeguar publikisht se çfarë u provua prej tij, çfarë nuk u provua dhe si një mekanizëm i krijuar nën hijen e atij pretendimi përfundoi duke gjykuar një çështje me akuza krejt të tjera.
Këtij dyshimi për origjinën dhe karakterin e mekanizmit i shtohet edhe vlerësimi i Geoffrey Nice, ish-prokuror i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në procesin kundër Slobodan Milosheviqit. Nice ka deklaruar se me këtë çështje merret prej rreth pesëmbëdhjetë vjetësh dhe se që nga Raporti i Dick Martyt kishte parë elemente që, sipas tij, tregonin se ajo që po ndodhte nuk ishte vetëm juridike, por kishte edhe një dimension politik. Ai thotë se që atëherë kishte indikacione se mekanizmi që po ndërtohej drejtohej nga objektiva politike që nuk ishin të qarta.
Edhe vlerësimi i tij për mënyrën se si u paraqit aktgjykimi i 16 shtatorit është i rëndë. Nice vëren se përmbledhja publike e aktgjykimit përmban pohime kategorike, por nuk identifikon provat konkrete që i lidhin të akuzuarit me krimet për të cilat gjykata thotë se është provuar përgjegjësia e tyre. Për një proces që ka përfunduar me 81 vjet burg, kjo nuk është një çështje e vogël teknike, sepse pikërisht lidhja ndërmjet provës konkrete dhe përgjegjësisë individuale duhet të jetë pjesa më e qartë dhe më bindëse e gjithë aktgjykimit.
Nice tërheq vëmendjen edhe te problemi i transparencës, duke theksuar se një pjesë e madhe e procesit është zhvilluar në seanca të mbyllura dhe se publikut mund t’i duhet të presë gjatë për një version të plotë dhe të redaktuar të aktgjykimit. Sipas tij, për shkak të sasisë së madhe të provave të administruara në seanca jo publike, është madje e paqartë se kur publiku do të ketë mundësi ta shohë të plotë bazën mbi të cilën u mor vendimi.
Këtu lind një kundërthënie që nuk mund të anashkalohet: një gjykatë që flet „në emër të popullit të Kosovës“ i kërkon po atij populli ta pranojë një aktgjykim jashtëzakonisht të rëndë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e provave mbi të cilat mbështetet ai vendim mbetet jashtë syve të publikut. Sa më shumë që një proces mbështetet në seanca të mbyllura, dokumente të redaktuara, dëshmitarë të mbrojtur dhe materiale që publiku nuk mund t’i kontrollojë, aq më e madhe bëhet barra e gjykatës për të shpjeguar bindshëm se si, nga ato prova, arriti pikërisht te këto përfundime dhe te këto dënime.
Dyshimi ndaj këtij procesi nuk vjen vetëm nga shqiptarët dhe as vetëm nga njerëzit që kanë lidhje emocionale me UÇK-në. Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s në Evropë dhe njeriu që e njihte luftën nga koha kur ajo po zhvillohej, tha pas aktgjykimit se ishte i shokuar dhe i zemëruar dhe se, nga ajo që kishte parë, nuk kishte parë prova që do ta justifikonin një vendim të tillë. William Walker, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, pyeti pse Aleksandar Vuçiqi nuk ishte thirrur në Hagë dhe kritikoi Bashkimin Evropian për mënyrën se si e trajton kontekstin e luftës dhe përgjegjësinë e Serbisë.
Paul Williams, profesor amerikan i së drejtës ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në procesin e Rambouillet-së, ka deklaruar se UÇK-ja nuk kishte strukturën tradicionale të komandës dhe kontrollit mbi të cilën mund të ngrihej automatikisht përgjegjësia e drejtuesve dhe, pas aktgjykimit, shkoi deri te kërkesa për shpërbërjen e gjykatës. Historiani gjerman Konrad Clewing ngriti problemin e aplikimit të logjikës së një ushtrie klasike mbi një luftë guerile. Në të njëjtën vijë, por nga këndvështrimi i studimeve politike dhe historike për Kosovën, Florian Bieber, profesor dhe drejtues i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, rikujton se studiuesit dhe vëzhguesit e luftës në Kosovë e kanë përshkruar përgjithësisht UÇK-në si një strukturë relativisht të decentralizuar, pa një hierarki të fortë dhe pa atë lloj zinxhiri të ngurtë komandues që karakterizon një ushtri të rregullt shtetërore. Sipas tij, aktgjykimi i 16 shtatorit nuk mund ta përmbysë vetvetiu këtë interpretim të krijuar nga literatura dhe hulumtimet shumëvjeçare për luftën e Kosovës. Një aktgjykim penal mund të përcaktojë përgjegjësinë individuale në një rast konkret, por nuk fiton për këtë arsye monopolin mbi interpretimin historik të një lufte.
Ndërsa Iva Vukushiq, e cila nuk është kundërshtare e parimit të përgjegjësisë individuale, i konsideroi dënimet mjaft të larta krahasuar me procese të tjera për krime të ngjashme.



