Shkruan: Prof. dr. Sabit Syla
Racionalizimi institucional nuk mund të jetë arsyetim për cenimin e autonomisë shkencore, dobësimin e institucioneve të dijes dhe ndryshimin e statusit të institucioneve që kanë një mision të veçantë kombëtar, shkencor dhe kulturor. Miratimi nga Qeveria i dokumentit për racionalizimin e agjencive, në kuadër të të cilit parashihet që Instituti i Historisë dhe Instituti Albanologjik të integrohen në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, është një çështje që nuk mund të kalojë si një vendim i zakonshëm administrativ. Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë nuk janë struktura të zakonshme administrative, nuk janë zyra të një ministrie dhe as agjenci që mund të trajtohen vetëm përmes tabelave organizative dhe skemave të vartësisë. Ato janë institucione të specializuara shkencore, me traditë, histori, identitet dhe mision të veçantë. Për dekada me radhë, këto dy institucione kanë qenë ndër shtyllat kryesore të kërkimit shkencor.
Ato kanë dokumentuar, studiuar dhe interpretuar historinë, gjuhën, kulturën, letërsinë, trashëgiminë dhe proceset shoqërore e politike të popullit shqiptar. Kanë krijuar traditë kërkimore, kanë nxjerrë kuadro shkencore, kanë botuar vepra me rëndësi dhe kanë ruajtur një pasuri të jashtëzakonshme dokumentare e shkencore. Ato kanë mbijetuar edhe në periudhat më të vështira të historisë sonë, kur ruajtja e institucioneve shqiptare të dijes ishte çështje e qëndresës kulturore dhe kombëtare. Prandaj, nuk është e pranueshme që sot, në një shtet të pavarur, e ardhmja e tyre të trajtohet kryesisht përmes një logjike administrative, te cenojë autonominë dhe veçantinë e tyre institucionale. Ajo që e bën edhe më të diskutueshëm këtë propozim është fakti se vetë dokumenti i Qeverisë për racionalizimin e agjencive pranon shprehimisht se institutet kërkimore kanë natyrë të veçantë dhe nuk janë agjenci të zakonshme administrative. Në dokument thuhet: “Për nga natyra e veprimtarisë, këto institucione kryejnë funksione kërkimore-shkencore dhe nuk përputhen me tipologjitë e agjencive ekzekutive, rregullatore apo të administratës së shërbimeve publike të përcaktuara në LOFASHAP.” Pra, vetë hartuesit e dokumentit e pranojnë se këto institucione nuk përputhen me tipologjinë e agjencive administrative. Atëherë, shtrohet një pyetje e pashmangshme: nëse vetë dokumenti e njeh këtë dallim, mbi çfarë logjike janë përfshirë këto institucione në një program për racionalizimin e agjencive dhe pse zgjidhja e propozuar është ndryshimi i modelit të tyre institucional? A nuk duhej që pikërisht kjo veçanti të ishte arsye për trajtim të posaçëm, e jo për përfshirjen e tyre në një proces të përgjithshëm riorganizimi? Kjo është një kundërthënie që kërkon shpjegim. Nuk mjafton që një dokument ta pranojë veçantinë e instituteve në pjesën analitike dhe më pas të propozojë ndryshimin e organizimit të tyre pa një arsyetim të plotë për pasojat që ky ndryshim mund të sjellë.
Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se në Evropë ekzistojnë modele të konsoliduara ku institutet kërkimore funksionojnë në mënyrë të pavarur nga universitetet, me financim publik, me organe të veçanta drejtuese dhe me autonomi në përcaktimin e prioriteteve shkencore. Në këtë drejtim, vetë dokumenti i Qeverisë pranon se Bashkimi Evropian nuk përcakton një formë të detyrueshme institucionale për institutet kërkimore. Në dokument thuhet shprehimisht: “Nuk ka kërkesa detyruese që përcaktojnë formën institucionale ose tipologjinë e instituteve kërkimore, pasi kërkimi shkencor dhe organizimi i institucioneve kërkimore mbeten kryesisht në kompetencë të shteteve anëtare.” Kjo do të thotë se integrimi i instituteve në universitete nuk është ndonjë detyrim që Kosova duhet ta zbatojë për shkak të standardeve evropiane, por është një zgjedhje e hartuesve të këtij procesi. Prandaj, duhet të shpjegohet se pse është zgjedhur pikërisht ky model dhe mbi çfarë analize profesionale është konstatuar se ai është më i përshtatshmi për dy institucionet tona.
Dokumenti përmend Estoninë, Kroacinë dhe Letoninë si shembuj ku institutet kërkimore funksionojnë në kuadër të universiteteve. Por përmendja e disa vendeve nuk përbën vetvetiu analizë krahasuese dhe as dëshmi se modeli i tyre duhet të zbatohet në Kosovë. Duhet të sqarohet se cilat institucione janë marrë si shembull, çfarë statusi juridik kanë, si financohen, kush i drejton, çfarë kompetencash kanë organet e tyre drejtuese dhe çfarë autonomie reale gëzojnë. A janë krahasuar specifikat e tyre me historinë, traditën, misionin dhe statusin e Institutit të Historisë dhe Institutit Albanologjik? A është analizuar nëse këto modele janë të zbatueshme në kontekstin tonë institucional dhe shkencor? Nuk mund të merret një model nga një vend tjetër dhe të paraqitet si zgjidhje e gatshme, pa u dëshmuar paraprakisht përshtatshmëria e tij. Atëherë, pse në Kosovë duhet të bëhet kalimi i tyre nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës? Pse nuk synohet krijimi i një sistemi të përbashkët të institucioneve kërkimore-shkencore Prishtinë-Tiranë-Shkup, duke fuqizuar hapësirën tonë të përbashkët shkencore, në vend që të synohet ndryshimi i vartësisë institucionale të instituteve që tashmë kanë traditën dhe identitetin e tyre? Një tjetër çështje veçanërisht shqetësuese në dokument është mënyra se si përkufizohet integrimi i propozuar. Nga njëra anë, thuhet se Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë do të ruajnë emrin, misionin, fushëveprimin, identitetin dhe autonominë e tyre shkencore, ndërsa stafit kërkimor do t'i garantohet ruajtja e titujve shkencorë. Nga ana tjetër, parashihet që funksionet administrative, financiare dhe shërbimet e tjera mbështetëse të integrohen në strukturën përkatëse të Universitetit të Prishtinës. Në dokument thuhet: “Funksionet administrative, financiare dhe shërbimet e tjera mbështetëse integrohen në strukturën përkatëse të Universitetit.” Autonomia shkencore nuk është e njëjtë me pavarësinë institucionale, juridike dhe financiare. Ruajtja e emrit dhe e misionit nuk mjafton nëse kompetencat vendimmarrëse, menaxhimi financiar dhe administrimi i përditshëm kalojnë në një strukturë tjetër institucionale. Një institucion nuk e ruan domosdoshmërisht pavarësinë vetëm pse vazhdon të mbajë emrin dhe të zhvillojë veprimtarinë e tij shkencore. Autonomia duhet të garantohet me dispozita të qarta juridike, me kompetenca të përcaktuara dhe me mekanizma të mbrojtjes institucionale, e jo vetëm përmes deklarimeve në një dokument programor. Përndryshe, ekziston rreziku që institutet të ruajnë emrin, por të humbin një pjesë të rëndësishme të kapacitetit të tyre vendimmarrës dhe të pavarësisë institucionale.
Shtrohet edhe një pyetje tjetër thelbësore: a janë hartuesit e këtij dokumenti në dijeni se si funksionojnë institucionet kërkimore-shkencore? A e njohin ata dallimin ndërmjet një agjencie administrative dhe një instituti të specializuar shkencor? A janë të vetëdijshëm për mënyrën se si organizohet puna kërkimore, si përcaktohen projektet shkencore, si zhvillohen hulumtimet, si realizohen botimet dhe çfarë rëndësie kanë autonomia dhe vazhdimësia institucionale për këto institucione? A janë konsultuar me studiuesit, drejtuesit dhe ekspertët që e njohin nga afër veprimtarinë e tyre, apo ky proces është hartuar kryesisht nga një këndvështrim administrativ, pa u kuptuar sa duhet natyra e institucioneve që synohet të riorganizohen? Nëse hartuesit e dokumentit kanë pasur për qëllim fuqizimin e kërkimit shkencor, atëherë duhet të shpjegojnë se cilat probleme konkrete të këtyre dy instituteve synojnë të zgjidhin përmes integrimit në Universitetin e Prishtinës. Cilat janë mangësitë që janë identifikuar? Cilat janë përfitimet e matshme që pritet të arrihen? A është bërë ndonjë vlerësim i ndikimit institucional, financiar dhe shkencor? Apo është konsideruar se mjafton bashkimi i funksioneve administrative dhe financiare për të përmirësuar veprimtarinë kërkimore? Shkenca nuk zhvillohet përmes riorganizimit të administratës. Ajo kërkon strategji, financim, infrastrukturë, kuadro të përgatitura, autonomi dhe vazhdimësi në politikat kërkimore.
Po aq shqetësuese është edhe përgjegjësia e deputetëve, në rast se ky proces procedohet për shqyrtim dhe votim në Kuvendin e Kosovës. Sa prej tyre e njohin realisht mënyrën e funksionimit të Institutit të Historisë dhe Institutit Albanologjik? Sa prej tyre e dinë se çfarë përfaqësojnë këto institucione, cili është misioni i tyre shkencor dhe çfarë pasojash mund të sjellë ndryshimi i statusit dhe vartësisë së tyre institucionale? A do ta kuptojnë deputetët se për çfarë po votojnë dhe çfarë përgjegjësie marrin mbi vete me një vendim të tillë? A do ta lexojnë dhe analizojnë dokumentin, përfshirë edhe pjesën ku vetë hartuesit pranojnë se institutet nuk janë agjenci të zakonshme administrative? A do të kërkojnë sqarime për mënyrën se si do të funksionojë autonomia e tyre pas integrimit? Nuk kërkohet që çdo deputet të jetë ekspert i shkencave humane, por kërkohet që asnjëri prej tyre të mos votojë verbërisht për çështje që prekin të ardhmen e institucioneve shkencore të vendit. Një vendim i tillë nuk mund të trajtohet si formalitet parlamentar dhe as të kalojë vetëm përmes logjikës së shumicës politike. Bëhet fjalë për institucione që kanë një histori të gjatë dhe një përgjegjësi të veçantë ndaj dijes, kulturës dhe kujtesës sonë kombëtare. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke dobësuar institucionet e krijuara me mund dhe sakrificë!
Instituti i Historisë dhe Instituti Albanologjik janë pjesë e trashëgimisë sonë institucionale dhe shkencore. Ato duhet të fuqizohen, të modernizohen dhe të mbështeten me politika afatgjata. Duhet t'u krijohen kushte për të qenë edhe më të pranishme në hapësirën akademike evropiane dhe ndërkombëtare. Nuk duhet të kemi frikë nga institutet e pavarura. Duhet të kemi shqetësim kur institucionet me traditë shkencore trajtohen si struktura që mund të riorganizohen. Prandaj, kërkoj që ky proces të ndalet dhe të rishqyrtohet, sepse një veprim i tillë, do të ishte një goditje e rëndë për institucionet që prekin drejtpërdrejt shpirtin, kujtesën dhe identitetin e një kombi. Nuk mund të pranohet që një vendim me pasoja të tilla të arsyetohet me disa formulime të përgjithshme për efikasitet administrativ. Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë nuk kanë nevojë të humbin pavarësinë e tyre institucionale. Kanë nevojë për më shumë mbështetje, më shumë financim, më shumë autonomi dhe një vizion të qartë për të ardhmen. Sepse institucionet e dijes nuk janë barrë administrative. Ato janë kapital shkencor, kulturor dhe kombëtar. Ato nuk duhet të dobësohen në emër të racionalizimit, por të fuqizohen në emër të së ardhmes së Kosovës. Reformat duhet t'i shërbejnë shkencës, e jo shkenca t'u përshtatet skemave administrative të Qeverisë!