Ibish Neziri
Dosja Sheholli nuk është vetëm dosja e një njeriu të akuzuar për spiunazh. Nëse do ta lexonim vetëm kështu, do të rrezikonim të mos shihnim atë që mund të jetë shumë më e madhe se Fatmir Sheholli.
Sheholli është emri që tashmë e dimë.
Problemi i vërtetë janë shehollët që nuk i dimë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e akuzon Fatmir Shehollin për veprat penale „Spiunazh“ dhe „Shantazh“. Sipas aktakuzës, deri në arrestimin e tij më 9 tetor 2025, ai kishte vepruar si person i rekrutuar nga shërbimi informativ serb, BIA, duke mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente që kishin të bënin me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Aktakuza përmban dhjetëra prova materiale dhe personale, ndër to përgjime telefonike dhe ambientale, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-regjistrime, pamje të kamerave të sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar.[1]
Fatmir Sheholli nuk është dënuar për këto akuza. Ai ka mohuar se ka punuar për BIA-n ose se ka vepruar kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të spiunazhit. Përgjegjësinë e tij penale do ta përcaktojë gjykata.
Por për sigurinë e Republikës së Kosovës ekzistojnë fakte dhe pyetje që nuk kanë nevojë të presin përfundimin e procesit gjyqësor.
Vetë Sheholli ka deklaruar se nga viti 1990 deri më 5 maj 1993 ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë, si analist në sektorin e analitikës. Këtë nuk e thotë një kundërshtar i tij. E ka deklaruar vetë Sheholli para Policisë dhe Prokurorisë.[2]
Këtu duhet të fillojë alarmi.
Në botën e shërbimeve sekrete qarkullon prej kohësh thënia: „Njëherë në një shërbim, gjithë jetën në atë shërbim.“
Kjo nuk është formulë juridike dhe as provë se kushdo që ka punuar dikur për një shërbim vazhdon të punojë për të. Por për një shtet serioz është një paralajmërim që nuk mund të shpërfillet. Aq më pak mund ta shpërfillte Kosova, një shtet i ri që po ndërtonte institucionet e veta pas një sistemi që për dekada kishte përgjuar, përndjekur, burgosur dhe luftuar shqiptarët.
Kosova nuk kishte pse të mendonte se do të ishte përjashtim.
Nga Sigurimi serb te AKI-ja
Pikërisht këtu Dosja Sheholli bëhet shumë më shqetësuese.
Sipas raportit të dalë nga një inspektim i brendshëm i AKI-së për periudhën 2017–2020, Fatmir Sheholli ka pranuar gjithsej 639 mijë euro nga fondi special i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Raporti, në të cilin ishin ngritur dyshime për keqpërdorim të buxhetit të AKI-së, i ishte përcjellë Prokurorisë së Shtetit në vitin 2024.[3]
Vetë Sheholli e ka pranuar publikisht se gjatë asaj periudhe ka bashkëpunuar me AKI-në. Kur është pyetur nëse kishte pranuar rreth 640 mijë euro nga drejtues të Agjencisë, ai nuk është përgjigjur drejtpërdrejt për shumën, por ka thënë se kishte kryer shërbime dhe angazhime për AKI-në që nuk ishin për opinionin publik. Kryeinspektori i AKI-së ka konfirmuar se Sheholli ishte njëri nga personat që kishte përfituar nga mjetet e konstatuara gjatë inspektimit.[4]
Dhe tani kemi një situatë që duhet ta shkundë shtetin:
Një njeri që ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë, që më pas ka bashkëpunuar me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe, sipas raportit të Inspektoratit të AKI-së, ka marrë prej saj qindra mijëra euro, sot akuzohet nga Prokuroria Speciale se ishte rekrutuar nga BIA serbe.
Nëse këto akuza vërtetohen në gjykatë, kjo nuk do të jetë vetëm çështja penale e Fatmir Shehollit.
Do të jetë një nga çështjet më serioze të kundërzbulimit kosovar:
Kush e kontrollonte kë?
Duhet të përcaktohet nëse Sheholli ishte burim i Kosovës, burim i Serbisë apo nëse, në periudha të ndryshme, kishte marrëdhënie me të dyja palët. Duhet të dihet kur filloi njëra marrëdhënie dhe kur përfundoi tjetra, nëse ato u ndërprenë ndonjëherë dhe, mbi të gjitha, nëse AKI-ja dinte për kontaktet e tij me BIA-n dhe deri në çfarë mase.
Nëse nuk dinte, atëherë lind një pyetje po aq serioze: si ishte e mundur?
Dhe nëse një njeri mund të lëvizte ndërmjet këtyre dy botëve, sa të tjerë mund të kenë bërë, ose mund të jenë duke bërë të njëjtën gjë?
Dokumentet nuk ecin vetë
Dosja e publikuar e bën këtë pyetje edhe më të rëndë.
Sipas aktakuzës, Sheholli nuk i ka mohuar kontaktet, që nga rreth viteve 2013–2014, me një zyrtar serb të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s. Për materialet që lidhen me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, Sheholli ka deklaruar se i kishte marrë përmes një personi të panjohur në Mitrovicën e Veriut dhe se kishte marrë edhe 5.000 euro. Ai ka pranuar gjithashtu se gjatë publikimit të materialeve kishte komunikuar me zyrtarin serb.[5]
Në telefonin e tij, sipas aktakuzës, është gjetur edhe një dokument operativ i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i vitit 2001, i emërtuar „Leptir“. Për prejardhjen e këtij dokumenti, Sheholli ka deklaruar se ia kishte dërguar në telefon kontakti i tij serb, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të BIA-s.[6]
Këtu duhet kujtuar një e vërtetë elementare e punës së shërbimeve:
Dokumentet nuk ecin vetë.
Ato nuk i kalojnë kufijtë vetë, nuk dalin nga kasafortat vetë dhe nuk kalojnë vetë nga një shërbim te tjetri.
I bartin njerëzit.
Një ish-shef i Shërbimit ka deklaruar publikisht se ky shërbim kishte arritur të siguronte dokumente nga Beogradi „me thasë“.
Në një pohim të tillë, pyetja nuk duhet të jetë vetëm se çfarë kishte brenda thasëve, por edhe kush i solli ata, në çfarë marrëdhënie ishte ai njeri me njërin shërbim dhe në çfarë marrëdhënie me tjetrin, kush e kishte rekrutuar, kush e paguante dhe kush mendonte se e kontrollonte. Dhe, në fund, mbetet pyetja më e rëndësishme:
Për kë punonte vërtet?
Këtu gjendet terreni klasik në të cilin lind pyetja e agjentit të dyfishtë. Nuk kemi të drejtë të shpallim askënd agjent të dyfishtë pa prova. Por kemi të drejtë, madje edhe detyrim, ta shtrojmë këtë pyetje kur një njeri që ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë më pas ka bashkëpunuar me AKI-në, ndërsa vite më vonë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se ishte rekrutuar nga BIA.
Sheholli që shihnim çdo mbrëmje
Ka edhe një dimension tjetër të kësaj historie që nuk duhet kaluar në heshtje.
Sheholli nuk jetonte në ilegalitet.
Nuk ishte një figurë e fshehur në ndonjë bodrum duke fotografuar dokumente. Ai ishte në hapësirën publike.
Pothuajse çdo mbrëmje mund ta shihnim në studio televizive. Paraqitej në televizionet e Prishtinës dhe të Tiranës, por edhe në mediat televizive serbe. Komentonte politikën dhe çështjet e sigurisë. Fliste për marrëdhëniet ndëretnike. Drejtonte Institutin për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë dhe ishte pjesë e vazhdueshme e debatit publik.
Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet të na shqetësojë.
Sepse shërbimet moderne nuk jetojnë vetëm nga dokumentet sekrete. Ato jetojnë edhe nga njerëzit që kanë qasje. Nga njerëzit që krijojnë besim. Nga njerëzit që dinë kush flet me kë, kush mendon çfarë, ku ekziston konflikt, ku mund të krijohet konflikt dhe ku mund të vendoset një informacion që nesër do të bëhet lajm.
Në këtë pikë, një pjesë e dosjes Sheholli merr rëndësi të veçantë.
Në telefonin e tij, sipas aktakuzës, është gjetur një dokument me mbishkrimin „Top sekret 2“, përmbajtja e të cilit përshkruan një strategji që, ndër të tjera, synonte nxitjen e përçarjes ndërmjet shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe atyre në diasporë. Në dokument flitet edhe për ndikimin përmes njerëzve me prani në media, politikë, sport e muzikë, për ndërtimin e xhamive dhe krijimin e perceptimit të Kosovës si një shoqëri e radikalizuar fetarisht. Projektohet madje një Kosovë që, pas njëzet vjetësh, do të dukej „si Kandahari“.[7]
Kjo pjesë e dosjes meriton të lexohet përtej rastit Sheholli.
Prej vitesh në një pjesë të hapësirës publike kosovare është zhvilluar një diskurs jashtëzakonisht përçmues ndaj mërgatës. Mërgimtarët janë etiketuar, përqeshur dhe fyer me emërtime e epitete nga më të ndryshmet. Është krijuar shpesh një ndarje artificiale ndërmjet „vendorëve“ dhe „mërgimtarëve“, sikur të bëhej fjalë për dy grupe me interesa të kundërta dhe jo për pjesë të së njëjtës shoqëri.
Në raste të caktuara, kjo përplasje ka dalë edhe jashtë studiove televizive dhe rrjeteve sociale. Një konflikt i nxitur nga shkrimet dhe deklarimet për diasporën ka përfunduar madje me sulm fizik ndaj një opinionisti në Prishtinë, rast që më pas ka marrë edhe epilog gjyqësor. Dhuna nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë. Por rasti tregon se përçarja ndërmjet mërgatës dhe „vendorëve“ nuk ka mbetur gjithmonë vetëm retorikë.
Pikërisht këtu dokumenti i gjetur, sipas aktakuzës, në telefonin e Shehollit bëhet veçanërisht shqetësues. Sepse një prej objektivave që përshkruhen në të është pikërisht nxitja e përçarjes ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në diasporë.
Edhe temat e tjera të dokumentit tingëllojnë të njohura nga debatet publike të viteve të fundit: xhamitë, radikalizmi fetar, konvertimet, identiteti kulturor dhe imazhi i Kosovës në raport me Perëndimin. Në dokument shfaqet madje metafora ekstreme e Kosovës që një ditë do të dukej „si Kandahari“.
Këtu duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm.


