Mëngjesin e 23 shkurtit të këtij viti, në vendin e tij të punës i shkuan dy mysafirë të paftuar.
Rreth orës 11:40, në parkingun ku punon në qendër të qytetit të Pejës, A. Sh vërejti një veturë të dyshimtë e cila po lëvizte ngadalë.
Me të kaluar pranë parkingut, vetura e bardhë hyri brenda, raporton Kiks Kosova.
Teksa A. Sh qe duke e sistemuar veturën e një klientes, makina e bardhë fillon të ndalet dhe dy persona dalin nga ajo.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë dhe sipas A. Sh, njëri prej tyre shihet duke futur armën në xhep.
Në këtë rast, dy të dyshuarit e ndoqën nga pas A.Sh, i cili iku duke shfrytëzuar një rrugë tjetër.
Sipas viktimës, konflikti buron nga marrëdhënia familjare meqenëse dy djemtë që shihen në kamera, sipas tij, janë djemtë e axhës së ish-gruas, me të cilën është divorcuar qe dy vite.
Ai thotë se disa javë para se të ndodhte ky rast, ka pasur një konflikt të vogël me babanë e ish-gruas dhe mendon që edhe kjo ndoshta ka qenë arsyeja pse është kanosur me armë javë më vonë.