Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë, pronarin e kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajollin, Kadri Sheqirin, Kadri Brahimin dhe Fehmi Bytyqin.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2026, kishte dënuar më 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro (së bashku), pronarin e kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqirin, si dhe Faton Vrajollin, Kadri Sheqirin, Kadri Brahimin dhe Fehmi Bytyqin. Ndërsa, më 18 maj 2026, Gjykata ka nxjerrë aktgjykimin e plotë të këtij rasti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 18 maj 2026, nga provat e administruara ka rezultuar se të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi kanë vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal, me qëllim të trafikimit të substancës narkotike të llojit kokainë nga Brazili në Kosovë.
Në aktgjykim thuhet se të akuzuarit Izet Sheqiri, në cilësinë e pronarit të kompanisë “MC FOOD”, dhe Faton Vrajolli, në cilësinë e zëvendësdrejtorit dhe përgjegjësit të importeve, kanë qenë organizatorët kryesorë të këtij aktiviteti kriminal dhe kanë koordinuar planin strategjik për fshehjen e substancës narkotike brenda dërgesave legjitime të produkteve të mishit nga Brazili, në koordinim me persona nga Brazili.
Tutje, në vendimin e Themelores thuhet se Gjykata ka vërtetuar se grupi kriminal ka pasur një strukturë të qartë hierarkike dhe ndarje të saktë të roleve. Izet Sheqiri, si pronar i kompanisë, ka ushtruar rolin e liderit dhe mbikëqyrësit të përgjithshëm të operacionit, ndërsa Faton Vrajolli ka qenë përgjegjës për koordinimin operativ, komunikimet me furnitorët brazilianë dhe planifikimin e shpërndarjes.
Kadri Sheqiri, familjar i pronarit dhe komercialist i kompanisë, ishte rekrutuar për të kryer shpërndarjen e substancës narkotike në Prishtinë dhe jashtë saj. Nga provat rezulton se Faton Vrajolli i kishte caktuar detyrën e shpërndarjes së narkotikëve në periudhën 20-25 maj 2021, në këmbim të një shpërblimi prej 60 mijë eurosh.
Ndër të tjera, Gjykata ka vërtetuar se grupi kriminal kishte planifikuar në hollësi shfrytëzimin e statusit të kompanisë “MC FOOD” si importues i rregullt, me kategorizim në “linjën e verdhë” doganore. Kjo, sipas aktgjykimit, i kishte mundësuar kompanisë që mallrat e saj të kontrolloheshin vetëm në nivel dokumentar, pa kontroll fizik të ngarkesave, duke i krijuar grupit mundësinë e transportimit të substancës narkotike pa rrezikun e zbulimit gjatë procedurave doganore.
Po ashtu, në vendim thuhet se nga informacionet e marra nga autoritetet ndërkombëtare rezulton se kontinieri S… ishte nisur nga Brazili dhe kishte ndjekur rrugën Navegantes (Brazil) – Valencia (Spanjë) – Gioia Tauro (Itali) – Durrës (Shqipëri) – Lipjan (Kosovë). Gjatë transportimit, autoritetet italiane kishin zbuluar anomali gjatë skanimit me rreze X në portin Gioia Tauro, por kontinieri kishte vazhduar rrugën sipas planit të koordinuar ndërmjet autoriteteve hetimore.
Sipas vendimit, Gjykata ka vërtetuar edhe një fakt kyç që konfirmon lidhjen e grupit me rrjetet kriminale në Brazil. Gjatë marsit 2021, dy kontinierë të tjerë të kompanisë “MC FOOD” ishin sekuestruar nga autoritetet spanjolle në portin e Barcelonës, ku ishin gjetur 109 kg dhe 218 kg substancë narkotike e llojit kokainë.
Nga komunikimet telefonike të administruara si prova ka rezultuar se të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli dhe Kadri Brahimi kanë qenë të informuar për këto sekuestrime dhe kanë komunikuar mes vete për “mungesat” në këto ngarkesa, duke përdorur gjuhë të koduar për t’iu referuar substancës narkotike të sekuestruar.
Në vendim thuhet se këtë çështje Gjykata e ka përdorur si provë rrethanore, pasi një çështje e tillë nuk ka qenë objekt shqyrtimi. Megjithatë, Gjykata ka vërtetuar se në të dyja rastet komunikimet mes të akuzuarve kanë qenë për kontinierët specifikë ku ishte gjetur narkotiku dhe nuk kishte pasur komunikime të tjera për raste rutinore, si dhe nga akterët e njëjtë të përfshirë, gjë që, sipas Gjykatës, shpërfaq mënyrën organizative të grupit.


