Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar sot në Ministrinë e Tregtisë kërkesën për marrjen e “masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend dhe uljën e çmimit të naftës”.
Zyrtarët e kësaj partie, Besnik Tahiri dhe Albana Bytyçi dorëzuan në MINTI një letër ku kërkohen “masa të menjëhershme dhe konkrete”.
“Rritja e çmimit të naftës po ndikon drejtpërdrejt në të gjithë ekonominë, duke rritur kostot e transportit, prodhimit dhe furnizimit, si dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Si pasojë, fuqia blerëse e qytetarëve është në rënie dhe po krijohet një efekt domino që prek bizneset dhe konsumatorët. Mungesa e masave konkrete institucionale në këtë situatë mbetet shqetësuese për stabilitetin ekonomik. Në vend të politikave lehtësuese, po vërehen qasje që vështirësojnë operimin e bizneseve, ndërkohë që praktikat ndërkombëtare tregojnë nevojën për ulje të barrës fiskale, mbështetje të sektorëve kritikë dhe krijim të rezervave strategjike”, shkruan AAK-ja në letër.
