Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mashtrime politike dhe manipulim të opinionit publik në lidhje me shumicën parlamentare.
“Qëndrimi i LDK-së është i pandryshueshëm. Kemi dallime thelbësore me Lëvizjen Vetëvendosje. Është kontribut kombëtar i LDK-së të emancipojë skenën politike duke mos bashkëpunuar me një lëvizje që ka ngjallur urrejtje, ndarje e përçarje. Që e ka izoluar Kosovën, që nuk beson në vlerat bazike të Republikës së Kosovës, që e uzurpon Qeverinë e Kosovës padrejtësisht, që e shkel Kushtetutën, që mashtron publikisht para popullit dhe thotë ‘i kam 61 vota, më testoni’, e s’është në gjendje të dalë e të thotë si burrë: ‘Nuk i kam, prej ditës së parë’”, ka thënë Abdixhikunë Debat Plus.
Ai i është drejtuar Kurtit me tone të ashpra, duke i kërkuar ndershmëri politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. “Nuk është fundi i botës nëse të refuzojnë të gjithë dhe nuk je në gjendje të bësh atë shumicë politike. Bëhu burrë njëherë në jetë, mos mashtro kaq thjeshtë”, ka theksuar Abdixhiku.
