Elvira Ibrahimi-Hoti do të jetë kandidatja e VV-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Lajmi u bë i ditur nga Albin Kurti i cili njoftoi për aderimin e saj,
Shkrimi i tij:
Elvira Ibrahimi-Hoti i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe do të jetë pjesë e listës sonë për deputete.
Me 18 vjet përvojë si kontabiliste dhe auditore e certifikuar, me gradën akademike master në ekonomi dhe ndërmarrëse për më se një dekadë, Elvira është vlerë e shtuar në Lëvizjen tonë. Ajo njeh mirë terrenin dhe e di saktësisht e në hollësi se si duket ekonomia nga lart poshtë, i kupton dhe di t’i adresojë hallet e bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe të ndërmarrësve të rinj. Si edukatorja e parë digjitale për tatime dhe financa në Republikën e Kosovës, Elvira i qëndron prapa bindjes se: njerëzit duhet të edukohen para se sistemi të mund t’i ndëshkojë. Ajo ka shërbyer në pozita drejtuese e menaxhuese, po ashtu si asistente në Fakultetin e Ekonomisë dhe ka trajnuar qindra gra e të rinj.
Elvira është e martuar dhe nënë e përkushtuar e dy fëmijëve. Ajo i do malet dhe ecjen, andaj jam i lumtur që do të lëvizim së bashku në VETËVENDOSJE! dhe garojmë në listën fituese për legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mirë se vjen, Elvira!