Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të Vjosa Osmanit, e cila tha se nuk e ka braktisur kurrë elektoratin e LDK-së dhe se largimi i saj nga partia ishte pasojë e vendimeve të lidershipit të atëhershëm. Në një prononcim për Lajmi.net, Agim Veliu hodhi poshtë pretendimet e Osmanit, duke e akuzuar atë se ishte një nga figurat kryesore që, sipas tij, çuan në përçarjen më të madhe në historinë e LDK-së.
“Vjosa Osmani nuk ka asnjë kredibilitet të flasë për unitetin e LDK-së. Ajo ishte figura që e shndërroi konfliktin e brendshëm në përçarjen më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë LDK-ja. Ajo sot përpiqet ta paraqesë veten si viktimë, ndërsa veprimet e saj politike tregojnë se ishte një nga protagonistet kryesore të asaj përçarjeje”, tha ai.
Veliu reagoi edhe ndaj deklaratës së Osmanit se nuk e ka braktisur elektoratin e LDK-së, duke thënë se veprimet e saj politike dëshmojnë të kundërtën.
“Pretendimi se nuk e ka braktisur elektoratin e LDK-së është kontradikor dhe bie ndesh me veprimet e saj. Nuk braktiset elektorati veç duke ia kthyer shpinen për pesë vite, por edhe duke e përçarë, duke e ndarë dhe duke kërkuar votën kundër partisë, e cila e kishte ngritur politikisht. Nëse ajo beson se nuk e ka dëmtuar LDK-në, atëherë e mohon realitetin. Pas largimit nga partia, ajo u rreshtua politikisht kundër LDK-së”, tregoi Veliu.
Sipas ish-deputetit të LDK-së, fakti që Osmani deklaron se nuk është penduar për veprimet e saj në vitin 2020 tregon mungesë reflektimi politik.
