Driton Ajazi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka folur për zhvillimet e fundit politike në Drenas, ku Ramiz Lladrovci ka vendosur të kandidojë si i pavarur, ndërsa PDK-ja ka zgjedhur Petrit Hajdarin si kandidat zyrtar për kryetar të komunës.
Ajazi theksoi se ka qenë një kërkesë e qytetarëve dhe e strukturave të partisë që të ndodhin ndryshime, duke argumentuar se votat që dikur shkonin për Lladrovcin, ishin më shumë vota për PDK-në si simbol, dhe jo për personin e tij.
“Unë vetë kam qenë kandidat në zgjedhjet e vitit 2021, dhe Ramiz Lladrovci na kishte mposhtur duke u fshehur pas logos së PDK-së. Ai e ka shfrytëzuar logon për vota sepse e dinte që qytetarët e Drenicës janë emocionalisht të lidhur me PDK-në, për shkak të së kaluarës së liderëve tanë si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli,” tha Ajazi.
Sipas tij, situata aktuale ka krijuar një realitet të ri, që e ka bërë edhe atë të reflektojë.
“PDK-ja ka vendosur të kandidojë Petrit Hajdarin, duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve që nuk donin më kandidaturën e Lladrovcit,” shtoi ai.