Prezantimi i Akademisë së Tregut Unik (SMA) shënon një fazë të re në procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor — një fazë që fokusohet në forcimin e institucioneve, zhvillimin e aftësive profesionale dhe ndërtimin e besimit të nevojshëm për qasjen në Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
Si një nga iniciativat prioritare në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor , Akademia do të ndihmojë në shndërrimin e angazhimeve të reformës në dije praktike, kapacitete institucionale dhe mekanizma të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Prezantimi zyrtar u mbajt sot në Podgoricë , në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi . Akademia e Tregut Unik është një platformë rajonale që ofron mbështetje profesionale për institucionet e Ballkanit Perëndimor në përafrimin me rregullat dhe praktikat e Tregut Unik të BE-së.
Ceremonia u hap nga Kryeministri i Malit të Zi, z. Milojko Spajić , dhe morën pjesë zëvendëskryeministra dhe ministra të Qeverisë së Malit të Zi , përfaqësues të Komisionit Evropian , të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë , institucione nga i gjithë rajoni dhe ekspertë ndërkombëtarë.
“Duhet ta kuptojmë se procesi i integrimit të plotë nuk përfundon në letër — madje nuk përfundon as me vetë anëtarësimin në BE. Ai duhet të jetë i mishëruar në çdo institucion, çdo procedurë, çdo proces prodhimi dhe në çdo kompani që synon të funksionojë sipas rregullave të Tregut Unik të Bashkimit Evropian,” tha Kryeministri Milojko Spajić , duke theksuar se roli i Akademisë është të përgatisë profesionistë vendas që të punojnë sipas të njëjtave standarde si kolegët e tyre në shtetet anëtare të BE-së.
“Nëpërmjet bashkëpunimit që forcon besimin, Mali i Zi nuk është më vetëm përpara — ai po ndihmon në udhëheqjen e procesit të bashkimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian,” shtoi ai.
Gjatë kesaj ceremonie u arrit nënshkrimi simbolik i partneritetit EU4Trade, duke rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin e sistemeve të standardizimit, akreditimit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut në të gjithë rajonin.
Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Sh.T.Z. Johann Sattler , theksoi:
“Prezantimi i sotëm është më shumë sesa fillimi i një projekti; ai shënon fillimin e një partneriteti të ri të bazuar në standarde të përbashkëta, të mësuarit e përbashkët dhe një vizion të përbashkët evropian. Akademia e Tregut Unik mishëron se çfarë duhet të jetë marrëdhënia BE–Ballkani Perëndimor: e bazuar në arsim, me qasje praktike dhe e përqendruar në rezultate që qytetarët dhe bizneset mund t’i ndiejnë në jetën e përditshme. Mali i Zi e ka merituar të jetë mikpritës i këtij projekti dhe i inkurajoj të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë maksimalisht nga kjo Akademi dhe mundësia për t’u afruar me Tregun Unik.”
