Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ka marrë masa të përkohshme ndaj produkteve medicinale të prodhuesit indian Swiss Parenterals Ltd., pas gjetjeve të autoriteteve evropiane lidhur me sterilitetin dhe dokumentacionin e produkteve.
Me vendimin e datës 27 gusht 2026, me Nr. Prot. 291/VIII/2026, AKPPM ka pezulluar përkohësisht Autorizimet për Marketing për produktet medicinale të prodhuara ose të liruara nga dy njësitë e Swiss Parenterals Ltd. në Ahmedabad, Gujarat, Indi.
Vendimi, i nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të AKPPM-së, përcakton masa të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit publik.

Sipas vendimit, produktet e përfshira ndalohen menjëherë për shitje, furnizim dhe shpërndarje në tregun e Republikës së Kosovës, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga AKPPM.
Po ashtu, janë pezulluar procedurat për Autorizime për Marketing dhe kërkesat për import të produkteve të përfshira në vendim.
Një masë tjetër është karantinimi i të gjithë stokut ekzistues. Bartësit e Autorizimit për Marketing ose përfaqësuesit e autorizuar janë obliguar që, brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e vendimit, të sigurojnë karantinimin e produkteve dhe të raportojnë te AKPPM dhe Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë.
Në Shtojcën 1 të vendimit janë përfshirë 48 produkte medicinale, ndër to antibiotikë dhe barna të përdorura në trajtime spitalore dhe raste emergjente.
Lista përfshin produkte si Meropenem, Vancomycin, Cefazolin, Ampicillin, Gentamicin, Piperacillin/Tazobactam, Imipenem/Cilastatin, Colistimethate, Voriconazole, Adrenaline, Furosemide, Diazepam, Midazolam, Lidocaine, Metoprolol, Nitroglycerin, Tramadol, Haloperidol dhe barna të tjera.




