Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, nga sot lëshon në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “Trashëgimia kulturore – Altarët nga periudha e Neolitit”.
Altari ka formën e një pjate dhe mbështetet mbi katër këmbë. Është i punuar nga argjila e pjekur, me ngjyrë gri në të kafe të errët. Sipërfaqja e jashtme është e zbukuruar me gravura vijash paralele të pjerrëta, si dhe me motive të realizuara përmes përdorimit të një mjeti trekëndor.
Altarët neolitikë, të njohur edhe si tavolina kulti, ishin objekte me karakter ritual, të lidhura me besimet dhe praktikat shpirtërore të komuniteteve të lashta. Ata dëshmojnë zhvillimin e jetës kulturore dhe shpirtërore të njeriut gjatë kësaj periudhe.




