Altin Krasniqi, i biri i Jakup Krasniqit, ka reaguar pas ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ndaj familjeve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që u dënuan nga Gjykata Speciale në Hagë.
Krasniqi me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se dera e familjes Krasniqi vazhdon të jetë e hapur tash e gjashtë vite për të gjithë që bashkëndjejnë me ta, shkruan Insajderi.
“Dera e shtëpisë sonë vazhdon të qëndrojë e hapur, tash e 6 vjet, për familjarë, miq dhe për të gjithë ata që bashkëndiejnë dhimbjen tonë. Përgjatë këtyre 6 viteve, kemi pritur që përfaqësues të institucioneve tona të vijnë në këtë shtëpi dhe ende vazhdojmë t’i presim. Sepse pjesë e ndërtimit të këtyre institucioneve janë edhe vepra dhe sakrifica e babait tim. Kjo derë do të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë ata që e ndjejnë dhimbjen tonë dhe e çmojnë sakrificën për lirinë dhe shtetin tonë”, ka deklaruar Krasniqi.




