Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka kërkuar që integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës të bëhet në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, raporton KosovaPress.
Ai në diskutimin që u mbajt për këtë temë në Qendrën Mediale të hënën, tha se ligji i Kosovës duhet të jetë i zbatueshëm në 38 komunat në vend, mirëpo shtoi se integrimi në sistemin e Kosovës duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Ne besojmë se ligji i Kosovës duhet të jetë i zbatueshëm në 38 komunat. Dua të them që integrimi duhet të ndodhë në fund në këto çështje. Unë kam dëgjuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili thotë se mjekët serbë dhe profesorët kanë marrë licencat tona dhe kjo është një shenjë e mirë dhe shpresoj që qeveria në detyrë do të vazhdojë t’i shqyrtojë këto çështje. Të gjithë qytetarët duhet t’i marrin shërbimet e arsimit dhe shëndetësisë në përputhje me kërkesat e komuniteteve lokale. Mendoj se çështja me rëndësi është se nuk do të kemi pengesa kur kemi të bëjmë me shëndetin dhe arsimin… Kjo duhet të bëhet me dialog. Ne duhet të bisedojmë me komunitetet lokale dhe kjo duhet të bisedohet me përfaqësuesin special të BE-së. Ne konsiderojmë se kjo duhet të bëhet në kuadër të atij dialogu”, tha ai.
Integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës e konsideroi të pashmangshme edhe nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.
