Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Tamara Ziv ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve që vijnë nga Republika Islamike e Iranit, duke i cilësuar ato si një rrezik të përbashkët për botën demokratike dhe një sfidë ekzistenciale për sigurinë globale.
Duke iu referuar deklaratës së fundit të kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili më 17 qershor tha se “Izraeli po bën punën e pistë për të gjithë ne” dhe se “ky regjim i mullahëve ka sjellë vdekje dhe shkatërrim mbi botën”, ambasadorja theksoi se kjo deklaratë “artikulon një të vërtetë thelbësore që nuk mund të shpërfillet më”.
Ajo shkroi se regjimi iranian ka ndërtuar një rrjet global përfaqësuesish terroristë, që nga Hezbollahu, Hamasit dhe Houthit e deri te qelizat e fjetura në të gjitha kontinentet. “Kjo paraqet një sfidë të koordinuar ndaj paqes globale”, thekson ambasadorja.
Në qëndrimin e saj theksohet se ambicia e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore dhe raketa balistike “nuk është masë mbrojtëse, por një mjet frikësimi për të nënshtruar qeveritë evropiane”. Ajo paralajmëron se Evropa është në shënjestër të qartë të këtij regjimi dhe nuk duhet të qëndrojë indiferente.