Analistët politik e kanë vlerësuar pozitivisht tejkalimin e krizës institucionale dhe zgjedhjen e presidentes, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për Kosovën. Ata theksuan se funksionalizimi i institucioneve i hap rrugë përballjes me sfidat e reja.
Publicisti Reshat Sahitaj tha se përfundimi i krizës institucionale është i mirëpritur nga qytetarët, ndërsa zgjedhjen e presidentes e konsideroi një lajm të mirë.
“Është akt sublim zgjedhja e presidentes. Është sukses i madh i akterëve për zgjedhjen e presidentes, e cila është kryetare e Akademisë së Shkencave. Shpresoj që ajo do të kontribuojë shumë në të ardhmen për Kosovën”, tha Sahitaj, raporton RTK.
Edhe analisti Ibrahim Shala vlerësoi se zhvillimet e fundit janë pozitive dhe se tashmë duhet të vlerësohen të gjithë ata që kanë kontribuar në tejkalimin e krizës.
“Fatmirësisht, duhet përgëzuar ata që kanë kontribuar për daljen nga kriza. Zgjedhja e presidentit është shumë e mirë dhe e drejtë”, tha Shala.




