Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përmes së cilës Prof. Dr. Bekim Sejdiu është propozuar për kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Quni ka thënë se marrëveshja është një hap që, sipas tij, dëshmon pjekuri politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve, duke vendosur interesin shtetëror mbi dallimet partiake.
“Me kënaqësi dhe shpresë të madhe për stabilitetin institucional të vendit, e mirëpres marrëveshjen e arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të propozohet për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Quni.
Ai ka vlerësuar edhe prejardhjen familjare të Sejdiut, duke përmendur kontributin e familjes së tij në rezistencën paqësore e politike të udhëhequr nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, si dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Quni ka theksuar se e ka njohur nga afër heroin e Kosovës, Arben Sejdiu, të cilin e ka cilësuar si bashkëluftëtar.




