Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK1), Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” e cila ishte paraparë për sot nga ora 09:30 është anuluar. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti është avancuar në Gjykatën e Apelit.
Anulimin e kësaj seance e ka konfirmuar për Kosovapress, zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi e cila tha se për këtë lëndë gjyqësore së shpejti do të caktohet gjyqtari i ri.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se gjykata ka anuluar seancën e caktuar me datë 12.01.2026 në çështjen penale kundër të pandehurit N.K., për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues – gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Lidhur me këtë, lënda në fjalë do të caktohet së shpejti tek gjyqtari bartës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës gjyqësore, për çka do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Gashit për KosovaPress.
Sipas aktakuzës Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se, operatorit i ishte mundësuar përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.
Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.
