Përmirësimi i sigurisë në Kosovë duhet të shërbejë si shtysë për përparim të mëtejshëm politik, forcim të institucioneve demokratike dhe rritje të besimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Këto janë përfundimet e parlamentarëve të NATO-s, pas përfundimit të një misioni faktmbledhës në Prishtinë, më 28 dhe 29 tetor.
Në raportin e publikuar të martën, theksohet se ndonëse situata e sigurisë është përmirësuar, tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride mbeten sfida për stabilitetin afatgjatë
Një delegacion i Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s diskutoi me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës synimet e vendit për të thelluar integrimin euroatlantik dhe për të kontribuar më shumë në sigurinë rajonale dhe atë të aleatëve.
Raporti thekson se disa zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, prezantuan prioritetet strategjike të vendit, ndër to rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, prokurimin e pajisjeve dhe rekrutimin e personelit, si dhe përpjekjet për përmirësimin e trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ndërveprueshmërisë së saj me forcat aleate.
Udhëheqësit e Kosovës, thuhet në raport, ritheksuan se “anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik i vendit”. Ata gjithashtu nënvizuan mbështetjen politike dhe praktike që Kosova vazhdon t’i ofrojë Ukrainës.
Gjatë misionit faktmbledhës, në diskutime u theksua se “ekziston një konsensus i gjerë, si në spektrin politik, ashtu edhe në shoqërinë kosovare, në favor të anëtarësimit në NATO dhe bashkëpunimit të ngushtë me Aleancën”.
Delegacioni diskutoi edhe për ndryshimet në mjedisin e sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë vizitën në selinë e misionit të KFOR-it.
Në këtë aspekt, raporti përmend edhe vendimin për optimizimin gradual të pranisë së KFOR-it, duke potencuar faktin se në rast të përkeqësimit të situatës, prania e forcave mund të përshtatet sërish.
“KFOR-i vazhdon të jetë thelbësor për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet. Në funksion të përmirësimit të situatës së sigurisë, Aleanca ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit dhe pranisë së KFOR-it, në përputhje me rrethanat e ndryshueshme në terren. Megjithatë, NATO-ja ruan mundësinë e përshtatjes së pranisë së forcave të saj në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë”, thuhet në raport.

