Prishtinë- Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hysri Selimi ishte dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.
“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe e mbrojtësit të akuzuarit Hysri Selimi, avokat Ali Beka, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.55/2025 i datës 15.06.2026, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 23 tetor 2026.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 qershor 2026 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Selimit, duke e dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.
Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale për shkak të shkeljeve esenciale te dispozitave te procedurës penale dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe t’i shqiptojë dënim më të lartë me burgim Selimit.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokat Ali Beka parashtroi ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit lidhur me sanksionin penal.
Beka kishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe që i akuzuari të lirohet nga akuza, ose që rasti të kthehet në rigjykim. Po ashtu, avokati kishte parashtruar edhe përgjigje në ankesën e PSRK-së.
Ndërkaq, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ndërsa ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Hysri Selimi, të refuzohet si e pabazuar.
Seanca e kolegjit të Apelit ku u elaboruan ankesat, u mbajt më 7 tetor 2026.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kushtëzonin anulimin e saj.
Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe nuk ka kundërthënie në mes arsyetimit dhe vendimit mbi gjykimin e të akuzuarit.
Shkalla e dytë thekson se atgjykimi i ankimuar është hartuar siç e detyron dispozita e nenit 369 të Kodit të Procedurës Penale, ashtu që arsyet që i ka dhënë gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit nuk janë në kundërshtim me përmbajtjen e shkresave të lëndës dhe provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Shkalla e dytë thekson se nga provat e administruara rrjedh se ishte pikërisht AKI që e kishte ndihmuar hetimin ndaj të akuzuarit për veprën për të cilën akuzohet.
Apeli konstaton se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se i akuzuari ka qenë në komunikim me zyrtarët e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA, dhe ka ndarë informacione të ndryshme lidhur me aktivitetet e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, për personat e radikalizuar, pjesëmarrjen e tyre në luftën në Siri.
“Gjithashtu është bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS pasi që kishte udhëtuar për në Siri, me mision të caktuar nga BIA, që ti informoj me numrin e pjesëmarrësve shqiptar në ISIS. Edhe pas vuajtjes së dënimit lidhur me pjesëmarrjen e tij në organizata terroriste, kishte vazhduar komunikimet me pjesëtarët e BIA-së dhe ishte takuar vazhdimisht me ta në territorin e Republikës së Serbisë”, thuhet në vendim.
Për këtë, thuhet që i akuzuari ishte paguar deri në 700 euro në muaj, si dhe ishte furnizuar me telefona të mençur nga BIA, me të cilët kishte komunikuar me zyrtarët e BIA-së.
Sipas Apelit, pretendimi i mbrojtjes se i akuzuari që nga kthimi nga Siria ka vepruar në koordinim me personat përgjegjës të AKI dhe se të gjitha veprimet që i ka ndërmarr sipas udhëzimeve të tyre, është
pretendim i pabazuar në asnjë prove.
“Nga shkresat e lëndës nuk ka asnjë provë që dëshmon se i akuzuari ka qenë i rekrutuar nga AKI, por që hetimet ndaj të akuzuarit kishin filluar pasi që AKI e kishte paraqitur në polici të akuzuarin dhe kishte filluar vëzhgimi i tij për derisa takohej dhe komunikonte me zyrtarët e BIA-së”, vlerëson Apeli.
Në deklaratën e dhënë në Prokurori, thuhet se i akuzuari nuk e kishte theksuar në asnjë moment se ka bashkëpunuar me AKI, apo ndonjë pseudonim të ndonjë personi që ka bashkëpunuar apo që ka qenë i udhëzuar nga ta, për të ndërmarrë veprimet inkriminuese për të cilat është akuzuar.
Apeli thotë se i akuzuari kishte bashkëpunuar me Prokurorinë dhe kishte pranuar të gjithë bashkëpunimin e tij me BIA-në serbe përgjatë viteve, kishte pranuar secilin veprim të tij, pagesat që i ka pranuar dhe kishte shprehur pendim për veprimet e tij. Por, në asnjë pjesë të deklarimit nuk ka theksuar se ka qenë i udhëzuar nga AKI që t’i ndërmarrë ato veprime.
Më tej, në vendim thuhet se vepra penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor – spiunazhi, nuk kërkon ndarjen e informatave të klasifikuara, por vetëm hyrjen në shërbimin informativ të huaj, mbledhjen e të dhënave apo në ndonjë mënyrë tjetër të ndihmojë punën e shërbimit të tillë, e që në rastin konkret janë përmbushur elementet e kësaj vepre penale me vetë hyrjen dhe ndarjen e informatave që i kanë kërkuar, duke vepruar sipas udhëzimeve të tyre dhe duke ndihmuar BIA-n.
Të ngjajshme
Prokuroria kërkon t’iu vërtetohet dënimi me 75 vjet…
26 Tet, 2026, 13:52
Apeli ia vërteton dënimin me 23 vjet burgim ndaj të…
25 Tet, 2026, 11:30
Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj tre zyrtarëve komunalë…
25 Tet, 2026, 9:41
Ndërkaq, vlerëson se pretendimet e Prokurorisë Speciale për një dënim më të ashpër nuk janë të bazuara.
Gjithnjë sipas vendimit, Themelorja si rrethanë rënduese gjeti shkallën e lartë të dashjes për kryerjen
e veprës penale, kjo për shkak se i pandehuri me vetëdije të plotë edhe sa i përket veprimeve dhe
pasojave të veprës, hyn në bashkëpunim me BIA-n, me qëllim që t’i ndihmojë duke iu dhënë informata të ndryshme sipas kërkesave të tyre.
“Parimisht, vetë fakti i hyrjes në shërbim informativ si akt, paraqet vetëm dashje të thjeshtë, mirëpo kur merret parasysh fakti se i pandehuri ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë më këtë shërbim dhe se gjatë kësaj kohëzgjatje ka pasur mundësi të pendohet dhe te tërhiqet nga ky aktivitet, fakti se në vitin 2012 është larguar dhe ka vendosur prapë të rikthehet si dhe fakti se i njëjti sipas kërkesës së BIA-s ka marr edhe rrezikun qe të shkoj në Siri dhe të bëhet pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, tregon një shkallë të lartë të dashjes dhe përkushtimit për të kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor”, thuhet në vendim.
Ndërsa, rrethana lehtësuese thuhet se nuk gjeti, edhe pse i njëjti në deklaratën në procedurë paraprake i ka pranuar të gjitha veprimet e kryerjes e gjithashtu në seancën e shqyrtimit gjyqësor i konfirmoi shumicën e fakteve që i ngarkohen me vepër penale.
“…gjykata nuk vlerësoj se kjo qasje e të pandehurit duhet të pranohet si pranim fajësisë, shprehje pendimi apo keqardhje, përderisa i njëjti nuk e pranoj fajësinë në mënyrë deklarative, por përkundrazi tentoj të shmang përgjegjësinë penale, duke ngritur pretendime të pabazuara gjatë dhënies se deklarimeve në fjalë hyrëse”, thuhet në vendimin e Apelit.
Apeli thekson se Themelorja mori si rrethanë rënduese elementin e veprës penale, pra hyrjen në shërbimin e huaj informativ, që në rastin konkret nuk mund të merret si rrethanë rënduese për shkak se përbën element të veprës penale.
“Por, kohën e gjatë të bashkëpunimit, pranimin e pagesave dhe telefonave të mençur për të ndihmuar në kryerjen e veprës penale, faktin se një herë është larguar dhe prapë është kthyer në këtë shërbim, pjesëmarrja e tij në organizatën terroriste ISIS për dobi të bashkëpunimit me BIA-në, janë rrethana rënduese që edhe ky kolegj i vlerëson”, thuhet në vendim.
Në anën tjetër, Apeli gjen se si rrethanë lehtësuese duhet t’i merret deklarimi i të akuzuarit në Prokurori i cili i pranon të gjitha veprimet dhe se këto rrethana i konfirmon edhe në shqyrtim gjyqësor në fjalën hyrëse, përkundër faktit se nuk ka pranuar fajin dhe nuk ka shpreh pendim dhe keqardhje, por me deklaratën e tij ka kontribuar në zbardhjen e kësaj çështje penale.
Kurse, sa i përket pretendimeve të Prokurorisë për dënim më të lartë, shkalla e dytë gjen se Prokuroria
nuk i referohet ndonjë rrethane rënduese që shkalla e parë nuk e ka pasur parasysh, apo ndonjë rrethanë tjetër rënduese apo veçanërisht rënduese që do të mund të ndikojë në rritjen e dënimit, por në mënyrë të përgjithësuar pretendon se vepra e kryer ka rrezikuar rendin juridik dhe të akuzuarit duhet t’i shqiptohet dënim më i lartë me burg. Andaj, sipas Apelit, ky pretendim është i pabazuar.
Përgjigja e mbrojtjes në ankesën e Prokurorisë, Apeli vlerësoi se nuk përmban ndonjë element që do të ndikojë në vendim marrjen e kolegjit.
Andaj, Apeli gjen se dënimi i shqiptuar ndaj Hysri Selimit prej 6 vjet burgim, është në përputhje me veprën e kryer, rrethanat e lartcekura, përgjegjësinë penale të të akuzuarit dhe se ky dënim do të shërbejë për arritjen e qëllimit të dënimit në pengimin e të akuzuarit në kryerjen e veprave penale në të ardhmen.
Gjithashtu, thuhet se ky dënim do të ndikojë edhe si preventivë e përgjithshme për personat tjerë që të përmbahen nga kryerja e veprave penale.
Kolegji i Apelit që mori këtë vendim përbëhet nga: Albina Shabani Rama– kryetare, Kreshnik Radoniqi dhe Avni Mehmeti- anëtarë.
Në seancën fillestare më 23 shtator 2025, Selimi ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë të ngritur më 9 shtator 2025, Hysri Selimi ngarkohej se nga muaji nëntor 2009 e deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (që njihet si BIA), në vazhdimësi ka ndihmuar punën e këtij shërbimi në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me veprimtarinë e pjesëtarëve të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri.
Aktakuza thotë se i akuzuari, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
Ndërsa, aktakuza thotë se pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.
Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.
Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar ppo ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.
Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi ngarkohej për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi