Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, duke caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.
“II. CAKTOHET masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, e cila masë do t’iu llogaritet nga momenti i arrestimit të të pandehurve dhe do t’iu zgjat deri në përfundimin e afarit prej 30 ditësh, në përputhje me nenin 184 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 të KPP-së, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të përshkruara në hyrje të këtij aktvendimi”, thuhet në aktvendimin e 18 marsit 2026.
Themelorja më 9 mars 2026 edhe në rivendosje kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundër këtij aktvendimi, në afat ligjor ka ushtruar ankesë Prokuroria Speciale për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të fakteve.
Prokuroria kishte propozuae që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktvendimin e ankimuar ashtu që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, ose aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Kurse, Prokuroria e Apelit e Kosovës, me shkresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit.
Në ankesë, Prokuroria Speciale pretendon se aktvendimi i ankimuar është nxjerrë si rezultat i interpretimit dhe zbatimit të gabuar të standardit juridik të dyshimit të bazuar të paraparë me nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe mbi një vlerësim jo të drejtë dhe jo tërësor të materialit faktik të paraqitur nga Prokuroria.
