Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 24 korrik 2025 e kishte dënuar Dodë Ricën me 5 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz.
Ankesë ndaj vendimit të Themelores kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar dënim më të ashpër ndaj Ricës, kurse mbrojtësi i Ricës, kurse avokati Haxhi Millaku për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, duke kërkuar rigjykim ose lirim nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, ankesë kishte parashtruar edhe personalisht i akuzuari Rica për të njëjtat baza ligjore sikurse ankesa e paraqitur nga avokati i tij.
Prokuroria Apelit përmes parashtesës ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet, ndërkaq ankesa e mbrojtësit Millaku të refuzohet si e pabazuar.
Në vendimin e Apelit, thuhet se qasja e Themelores ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme, asnjë fakt nuk ka mbetur i dyshimtë ose i pavërtetuar dhe përveç që janë vërtetuar drejt ato, edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë.
Kështu sipas Apelit, në rastin konkret, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale, dhe po ashtu, edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga i akuzuari Dodë Rica.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, përveç konstatimit se kemi të bëjmë me veprën penale të trafikimit me njerëz, nga deklarata e dëshmitarëve, gjykata ka ardhë në këtë përfundim bazuar edhe në raportet e policisë, ku njëra nga të dëmtuarat ka lajmëruar anëtarët e familjes së saj në vendin e saj të origjinës. Pastaj, fakti se si policia e atij vendi ka kërkuar informata nga Policia e Kosovës, duke shënuar kështu fillimin e hetimit dhe vëzhgimit të të akuzuarve- përfshirë vendin ku kanë punuar të dëmtuarat.
Lidhur me pretendimet e Prokurorisë se i është shqiptuar dënim i butë Ricës, sipas Apelit, këto pretendime nuk qëndrojnë pasi që pretendimet për rrethanat rënduese të theksuara në ankesën e Prokurorisë lidhen me elemente të veprës penale dhe jo me rrethana rënduese.
