Sipas vendimit të përpiluar më 4 mars 2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë, palës së dëmtuar, si dhe të mbrojtjes së të akuzuarve, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Arton Duraku është dënuar me dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, av. Salih Mekaj, e të dëmtuarit E.Sh. dhe mbrojtësit të akuzuarit Arton Duraku, av. Shefqet Ibrahimi dhe të akuzuarit Nezir Duraku, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.nr.22/2025 i datës 19.11.2025, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria kishte kërkuar ndryshimin e aktgjykimit dhe shqiptimin e dënimeve më të ashpra, duke pretenduar se kishte shkelje procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të ligjit penal. Po ashtu, dënime më të rënda kishin kërkuar edhe përfaqësuesi i familjes së viktimës dhe i dëmtuari E.Sh.
Në anën tjetër, mbrojtja e Arton Durakut kishte kërkuar uljen e dënimit për veprën e parë dhe lirimin nga akuza për veprën e dytë, ndërsa Nezir Duraku kishte kërkuar lirimin nga akuza ose kthimin e rastit në rigjykim.
Kolegji i Apelit, i përbërë nga gjyqtarët Mentor Hajra, Xhevdet Abazi dhe Valbona Musliu-Selimaj, vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë dhe se nuk ka pasur shkelje të ligjit penal.
Sipas Apelit, Gjykata Themelore ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për rikualifikimin e veprave penale nga forma e dashjes eventuale në atë të pakujdesisë. Ky përfundim është mbështetur kryesisht në super-ekspertizën e komunikacionit, e cila ka konstatuar se Arton Duraku kishte ndërmarrë veprime për shmangien e aksidentit, por përplasja kishte ndodhur për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe kalimit në korsinë e kundërt.
Lidhur me veprat penale të mosdhënies së ndihmës, Apeli ka vlerësuar se rikualifikimi në formën bazë të këtyre veprave është i drejtë, pasi eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se viktima kishte ndërruar jetë brenda një kohe shumë të shkurtër nga gjakderdhja masive. Për këtë arsye, sipas gjykatës, nuk janë plotësuar kushtet për formën e kualifikuar të veprave penale.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se, megjithëse të akuzuarit e kishin parë viktimën të gjallë dhe kishin dëgjuar thirrjet e tij për ndihmë, ndihma eventuale nuk do të kishte pasur efekt shpëtues për shkak të natyrës së lëndimeve.
