Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka shprehur mirënjohjen e tij për qytetarët që i besuan votën në zgjedhjet e fundit, duke bërë thirrje për reformim dhe ringritje të LDK-së.
Ai vlerëson se rezultati zgjedhor duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe nisje e një procesi të ri që do ta kthejë LDK-në në një alternativë fituese për Kosovën.
“Rezultati i fundit zgjedhor duhet të na shërbejë si thirrje për reflektim. Ne nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë. Një LDK me 16% nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës. Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj”, ka thënë Gashi.
Postimi i plotë i Gashit:
Të dashur qytetarë të Kosovës, të nderuar votues të LDK-së dhe secili prej jush që ma besuat votën,
Ju jam thellësisht mirënjohës.
Faleminderit që zgjodhët LDK-në si shtëpinë tuaj politike dhe që, me besimin tuaj, mundësuat rikthimin tim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mbi të gjitha, më rikonfirmuat se politika që kam përfaqësuar ndër vite vazhdon ta ketë mbështetjen tuaj. Ky është një konfirmim se bindjet e mia për Kosovën, për LDK-në dhe për mënyrën se si duhet të bëhet politika gëzojnë besimin tuaj.
Prandaj, sot dua t’ju jap një zotim të qartë: nuk do të ndalem kurrë së punuari dhe së luftuari për Kosovën që e ëndërrojmë bashkë – një Kosovë të qeverisur mirë, të udhëhequr me ndershmëri, me kompetencë dhe në shërbim të çdo qytetari.
Por, për ta bërë Kosovën që duam realitet, na duhet edhe LDK-ja që i duhet Kosovës.
