Një shtetas i Kosovës është arrestuar në pikën kufitare ndërkombëtare Karasovici, në Kroaci, pasi gjatë kontrollit kufitar është konstatuar se ndaj tij kishte një fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Beograd.
Sipas mediave kroate, bëhet fjalë për B.B., 49-vjeçar, nga Nerodimja e Poshtme, i cili ishte duke hyrë në Kroaci si drejtues i një automjeti të tipit Audi A6 me targa gjermane.
Gjatë kontrollit të pasaportës, autoritetet kroate kanë konstatuar se të dhënat e tij figuronin në bazën e të dhënave të Interpolit për qëllim arrestimi dhe ekstradimi.
Fletarrestimi ndaj tij ishte lëshuar më 29 prill 2024, me kërkesë të Interpolit në Beograd. Serbia e akuzon shtetasin kosovar se gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve ’90, kishte kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.
Pas arrestimit, B.B. është njoftuar për të drejtat e tij ligjore dhe është dërguar para gjyqtarit hetues të Gjykatës së Qarkut në Dubrovnik. Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit, me qëllim të procedurës për ekstradim.
