Arta Vokshi Nallbani ka shpallur kandidaturën e saj për kryetare të Komunës së Pejës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan Gazeta Demos.
Këtë e ka bërë të ditur aktivisti i PDK-së, Astrit Berisha i cili ka treguar për karrierën dhe arritjet profesionale të Artës.
Ndërkaq sipas tij, Arta ka theksuar se qytetarët e Pejës meritojnë më shumë dhe se PDK është zgjedhja e duhur për të realizuar këtë zhvillim.
Postimi i plotë:
Arta Vokshi Nallbani është një Drejtoreshë e shquar në fushën e urbanizmit dhe një figurë e njohur politike në Pejë.
Ajo ka shërbyer si Drejtoreshë e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Pejës për më shumë se tre vjet, periudhë gjatë së cilës ka realizuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e qytetit.
Karriera dhe arritjet profesionale Gjatë udhëheqjes së saj, Vokshi Nallbani ka arritur disa rezultate të rëndësishme: Digjitalizimi i procesit të legalizimit: Ka implementuar një sistem të ri për legalizimin e objekteve pa leje, duke e bërë këtë proces më efikas dhe transparent. Hartimi i Hartës Zonale Komunale (HZK) 2023–2031: Ka udhëhequr krijimin e kësaj harte, e cila është një dokument kyç për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit të Pejës. Rritja e të hyrave vetanake: Nën drejtimin e saj, Drejtoria për Urbanizëm ka tejkaluar buxhetin e planifikuar për vitin 2023, duke inkasuar mbi 1 milion euro të hyrave, një rekord në historinë e kësaj drejtorie. Implementimi i projekteve mjedisore: Ka mbikëqyrur realizimin e projekteve të mjedisit sipas planit dinamik, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët.