Çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje 4.5 për qind në gusht 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, inflacioni mujor ishte 0.5 për qind në muajin gusht.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritje të çmimeve në gusht më së shumti ka pësur energjia elektrike me 17.1 për qind.
Ngritje të çmimeve pati edhe për pushime të organizuara me 17.1 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 16.7 për qind, pemët me 16.6 për qind, po ashtu edhe mishi me 12.4 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,5 % në muajin Gusht 2025 krahasuar me muajin Gusht 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: energjia elektrike (17,1%), pushime të organizuara (17,1%), kafja, çaji dhe kakao (16,7%), pemët (16,6%), mishi (12,4%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (10,7%), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (10,4%), perimet (9,7%), vajrat dhe yndyrnat (8,6%), shërbimet hoteliere (8,2%), qumështi, djathi dhe vezët (8,2%), shërbimet ambulantore (7,3%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (6,3%), pijet alkoolike (6,2%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (5,7%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,3%), shërbimet financiare (5,2%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (4,9%), buka dhe drithërat (4,7%), kujdesi personal (4,6%), peshqit (4,1%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (3,9%), prodhimet ushqimore (3,6%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (3,5%), duhani (3,4%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (3,3%)”, thuhet në raportin e ASK-së.
