Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se prania e parazitit Anisakis simplex te peshqit e ngrirë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, dhe se peshku është i sigurt për konsum pasi gatimi në temperaturë mbi 60 gradë Celsius asgjëson rrezikun e mundshëm.
“Në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitëve të llojit Anisakis simplex – një dukuri e njohur ndërkombëtarisht në lloje të caktuara të peshkut”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje”.
“Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm” .
