Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes inspektorëve veterinarë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë ndaluar shitjen e produkteve të bylmetit (djathë, gjizë, qumësht i freskët dhe nënprodukte të tjera) në hapësira të pa mbrojtura dhe në temperatura të ambientit, gjatë kontrollit në tregun e gjelbër në Ferizaj.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhej se gjithashtu gjatë kontrollit është konstatuar se disa qytetarë po ushtronin aktivitetin e shitjes së shpezëve në mënyrë të kundërligjshme, duke bllokuar hapësirat e destinuara për lëvizjen e këmbësorëve dhe duke rrezikuar shëndetin publik për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare, transmeton Klankosova.tv.
“Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-120 Për Ushqim, inspektorët kanë ndërmarrë masa për largimin e produkteve të pasigurta nga tregu, si dhe kanë urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes së tyre në ato kushte. Për shitësit që nuk respektojnë këto rregulla do të konfiskohen e asgjësohen produktet dhe parashihet sanksionim ligjor”.