Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), është njoftuar për ndalim të një ngarkese me produkte “Flips Ketchup” me datë skadimi 11.02.2027, prodhues “PESTOVA L.L.C” lidhur me mos-deklarimin e pranisë së alergjenit qumësht në produktin ushqimor.
AUV-i deklaron se, gjatë kontrollit zyrtar në Slloveni është marrë mostër e këtij produkti, ku përmes analizave laboratorike është konstatuar prania e gjurmëve të qumështit.
Sipas vlerësimit të riskut të bërë në kuadër të njoftimit RASFF, produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsumatorët e ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht. AUV menjëherë ka nisur gjurmueshmerinë për prodhimin dhe tregtimin e produktit.
Inspektorati i AUV-së kanë realizuar menjëherë kontrolli zyrtar te operatori “PESTOVA SHPK”, me qëllim të verifikimit të rastit, konstatimit të gjendjes dhe ndërmarrjes së masave përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjatë kontrollit është konstatuar se produkti “Flips Ketchup”, Lot FK 04/26, ishte i pranishëm në stok.
I njëjti sipas dokumentacionit ishte prodhuar në sasi prej 20,406 pakosh dhe ishte eksportuar në disa vende.
AUV ka urdhëruar operatorin ekonomik tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit me Lot FK 04/26. Po ashtu ka ndaluar shitjen apo distribuimin e sasisë në depo. Është vendosur masë kufizuese për prodhimi dhe vendosja në treg të produktit të ri, deri në kryerjen e analizave laboratorike për praninë e alergjenëve të qumështit dhe/ose korrigjimin e deklaracionit.
Mbikëqyrja e zbatimit të urdhëresave do të përcillet deri në përfundim. Pas marrjes së rezultateve të analizave laboratorike, vendoset për fatin e produktet duke u mbështetur ne rezultate dhe vendosje të etiketimit-deklarimit të saktë të përbërësve në përputhje me ligjin.
“Thërrasim konsumatorin për vëmendje gjatë blerjes se produkteve ushqimore. Nëse e hasni produktin sipas të dhënave me lartë ne treg, të njoftoni menjëherë AUV-në . Po ashtu nëse të njëjtin e keni ne shtëpitë e juaj duhet ta ktheni ne piken e blerjes.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes AUV-së është duke ndërmarrë të gjitha veprimet për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Mbetemi të përkushtuara në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave të nevojshme mbi secilin dyshim qe paraqitet” thuhet në njoftim zyrtar