Ramadan Avdiu, një ndër aktivistët e hershëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës(LPK), i pranishëm në takimin e LPK-së në Kollare të Maqedonisë më 1993, ku Gjykata Speciale pretendon se pati përplasje mes Hashim Thaçit e Behajdin Allaqit, ka mohuar krejtësisht këtë version. Ai thotë se përveç që nuk ka pasur përplasje mes Allaqit e Thaçit, ishte vetë Allaqi ai që kishte kërkuar që Thaçi të zgjidhej në Grup të Organizimit dhe Riorganizimit për Mbledhjen e radhës të Përgjithshme të LPK-së.
“Absolutisht është e paqëndrueshme(s’ka pasur). Nuk e di në çka bazohet. Unë i kam parë disa shkrime dhe një libër dhe kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ka pasë debat, në çdo mbledhje është debatu me qëllim që si të organizohemi më mirë”, thotë ai.
“Ata dy kanë qenë përfaqësues të Këshilleve të Rretheve. Ajo mbledhje ka qenë konsultative, s’ka qenë mbledhje e përgjithshme. Aty janë mbështet aksionet e armatosura. Është bërë thirrje për unitet dhe mobilizim dhe është vendos që të mbahet mbledhja e katërt e përgjithshme për organizimin e të cilit është organizu një grup me pesë persona. Me insistimin e Behajdin Allaqit në atë grup është zgjedhur Hashim Thaçi. Ai ka insistuar që të jetë anëtar i Grupit të Organizimit dhe Riorganizimit”, tha Avdiu në Debat Plus.

