Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, duke komentuar kërkesën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve gjatë fjalës përfundimtare, ku është kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin të pandehur, ka thënë se një kërkesë e tillë është absurde.
“Është absurde. Sipas Ligjit Penal të Kosovës, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila e ka të gjithë bazamentin në konventat e nivelit botëror, gjithmonë parashihet që të përdoret ligji më i favorshëm. Ligji më i favorshëm, edhe në situatën më të pavolitshme për ne si avokatë, për kohën kur dyshohen këta që i kanë kryer ato vepra penale, ka paraparë dënim deri në 15 vjet burg, apo siç ka qenë në atë kohë dënimi në kuadër të ligjit të RF të Jugosllavisë deri në 15 vjet ose burg deri në 20 vjet, apo burgim me vdekje, i cili nuk është ekzekutuar dhe ka kaluar në burg efektiv. Mirëpo, në vitin 2000, z. Kushner e ka abroguar edhe këtë dënim me vdekje…”, ka thënë ajo në FIVE në RTV Dukagjini.
“E gjitha kjo dëshmon se këtu është bërë një shkelje shumë e madhe dhe mandej këto standarde nuk mund t’i shkelin. Po flas për situatën më të pavolitshme, edhe pse sot ne e pamë vetëm një peshore e cila, për mua, ka qenë e paimagjinueshme, nga ana e Prokurorisë.
