Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet protestë për mosrealizimin e kërkesave të punëtorëve të sektorit privat, si nga qeveria aktuale ashtu edhe nga qeveritë e kaluara.
Ai në një konferencë për media tha se është marrë vendim unanim që, nëse deri në muajin korrik nuk realizohet rritja e pagave në 600 euro për punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik që financohen nga Komuna e Prishtinës, ata do të largohen kolektivisht nga vendet e punës, pasi sipas tij tashmë kanë gjetur alternativa me paga më të larta.
“Kemi biseduar lidhur me pagën e 13-të, është biseduar për pakon që është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministri Hekuran Murati, dhe kemi biseduar për organizimin e protestës për 1 maj që do të mbahet.Sa i përket rritjes të pagës deri në 600 euro, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të cilët financohen nga komuna e Prishtinës, është marrë vendim unanim nëse pagat e tyre nuk janë me kontrata të kontraktuara 600 euro, këta punëtorë në mënyrë, po themi kështu, kolektive do t’i lëshojnë vendet e tyre të punës sepse kanë gjetë vende me një shumë më të madhe sesa këtë që e kanë. Domethënë ka qenë një vendim unanim dhe unë thërras komunën e Prishtinës që t’i trajtojë këta punëtorë, ta thërrasë përfaqësuesin sindikal dhe ta arrijmë deri te, sepse nëse një kontratë që do të nënshkruhet me 15 maj për këta punëtorë, ajo kontratë nuk po nënshkruhet për pesë-gjashtë muaj, ajo kontratë nënshkruhet së paku gati për tri vite dhe paramendojeni ju inflacionin e pagës 600 euro sa do të mbetet mbas tri viteve”, tha ai.
