Lëvizja Vetëvendosje, ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.
Me rreth 90% të votave të numëruara, subjekti politik i udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë 50.8% të votave, duke i hapur rrugën një mandati të tretë qeverisës, raporton BBC.
Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë renditur pas, me përkatësisht 20.98% dhe 13.89% të votave.
Vetëvendosje kishte fituar edhe zgjedhjet e mbajtura në shkurt, por pa arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, ç`ka e la Kosovën pa institucione funksionale për disa muaj.
Ngërçi politik ngriti pikëpyetjen kryesore të këtyre zgjedhjeve të dyta brenda vitit, nëse votuesit do ta ndëshkonin Kurtin për bllokadën institucionale apo partitë opozitare që refuzuan bashkëqeverisjen me të. Rezultati duket se ka dhënë një përgjigje të qartë.
Edhe pse Vetëvendosje pritet të mos i ketë e vetme votat e mjaftueshme për të qeverisur pa partnerë, Kurti pritet të sigurojë mbështetje nga partitë e pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 ulëset në Kuvend.
Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare dhe shihet si një konfirmim politik pas dështimit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
