Bashkimi Evropian ka përsëritur gatishmërinë për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, por nuk ka bërë të ditur ndonjë datë për zhvillimin e tij.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të pritur një takim të tillë.
“Siç ka thënë vazhdimisht përfaqësuesja e lartë Kallas, ajo është e gatshme të presë së shpejti një takim të nivelit të lartë. Çdo takim të ardhshëm do ta njoftojmë me kohë”- thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Komisionit Evropian, dhënë për Kallxo
Përgjigjja e BE-së vjen në kohën kur Kosova ka hyrë në një fazë të re institucionale, pas konstituimit të institucioneve të reja, duke rikthyer vëmendjen te mundësitë për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ndërkohë, Serbia është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Megjithatë, Komisioni Evropian nuk ka dhënë detaje për datën e mundshme të takimit, apo përgatitjet konkrete për mbajtjen e tij.
Dialogu Kosovë–Serbi ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa takimet e nivelit të lartë synojnë avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Për këtë çështje, në një intervstë për Kallxo.com, profesori dhe bashkëpunëtori i lartë në Institutin për Politikë të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka vlerësuar se përparimi në procesin e dialogut varet nga ndryshimi i qasjes së Bashkimit Evropian, duke theksuar se nuk mund të ketë rezultate nëse kërkesat vazhdojnë të drejtohen vetëm ndaj Kosovës.
“Nëse Brukseli vazhdon t’i japë përparësi Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa kërkuar asgjë në këmbim nga Serbia për Kosovën, dialogu do të vazhdojë të mos çojë askund”- thotë Serwer.
Ai thotë se dinamika e dialogut do të varet nga mënyra se si BE-ja do t’i trajtojë zotimet e të dyja palëve. Sipas tij, nëse Brukseli vazhdon t’i kërkojë gjithçka Kosovës dhe asgjë Serbisë, takimet e nivelit të lartë nuk do të prodhojnë rezultate konkrete.
Profesori vlerëson se Asociacioni mund të jetë i pranueshëm për Kosovën vetëm pasi të eliminohen kërcënimet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, mundësisht përmes njohjes diplomatike nga Serbia.
Ai konsideron se Asociacioni duhet të mos jetë prioritet derisa Serbia të jetë e gatshme ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.

