Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë është zhvillim që bart rëndësi, edhe politike edhe praktike” dhe që “secili projekt infrastrukturor në mes të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog në mes të të gjitha komuniteteve”.
Sipas bllokut evropian, është thelbësore që projekte të tilla të reflektojnë vullnetin dhe nevojën e komuniteteve lokale.
Qeveria në detyrë e Kosovës i ka ndarë rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik – dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi” mes banorëve të Mitrovicës së Veriut me shumicë serbe dhe asaj të Jugut me shumicë shqiptare.
Gurëthemelet e dy urave në Mitrovicë janë vendosur më 1 korrik, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Më herët gjatë ditës, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka nisur një peticion kundër ndërtimit të urave mbi Ibër.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i ka thënë Radio Televizionit të Serbisë përpara fillimit të nënshkrimit të peticionit, se qëllimi është “të tregohet një qëndrim i unifikuar i popullit serb, se ai nuk pranon vendime të njëanshme për projekte në dëm të komunitetit serb”.
Sipas tij, peticioni do të jetë i disponueshëm për nënshkrim gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa më pas do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
Urat do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
