Pas ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje sipas Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë kështu një stimul të rëndësishëm avancimit të reformave.
Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, parafinancimi përfaqëson 7% të totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi të favorshme në dispozicion të Kosovës në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike deri në fund të vitit 2027.
Këto mjete, sipas njoftimit, do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në.
“Prej 61.8 milionë eurove, sot në buxhetin e Kosovës janë bartur 28.74 milionë euro kredi, ndërsa shuma e mbetur – 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) – do të kanalizohet përmes WBIF-it”, tha Nikola Gaon, zëdhënës i BE-së në Kosovë.
Në njoftim theksohet se në Agjendën e vet të Reformave, që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike, Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.
BE thotë se secili hap i reformave është i ndërlidhur me një alokim specifik financiar.
“Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”, u tha më tej në njoftim.
