Shqipëria kalon një tjetër prag drejt BE-së, me konfirmimin për përmbushjen e objektivave të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”. Por Brukseli kërkon prova konkrete.
Shqipëria kaloi të martën një tjetër fazë kyçe në rrugën drejt Bashkimit Europian. Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së konfirmoi përmbushjen e objektivave të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, që përfshin drejtësinë, të drejtat themelore, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Por krahas vlerësimeve për progresin në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, Bashkimi Europian dha mesazhin e qartë se faza më e vështirë nis tani, ajo e zbatimit të reformave.
Në konferencën në Bruksel, komisionerja europiane për zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi reformën në drejtësi si një nga elementët kryesorë të progresit në negociata. Ajo vlerësoi procesin e vettingut dhe ngritjen e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
“Kemi parë vettingun e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kemi parë ngritjen e SPAK, që është institucion flamurtar antikorrupsion që ka vërtetuar që mund të japë rezultate dhe që mund të bëhet institucioni më i besueshëm në Shqipëri” – u shpreh Kos.
Komisionerja europiane theksoi se përmbushja e objektivave të ndërmjetme nuk përbën fundin e procesit, por hyrjen në një fazë ku kërkohen rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.
“Në momentin që plotësohen kushtet, ky është momenti për të intensifikuar punën. Pritet progres i mëtejshëm” – tha komisionerja. Më shumë se 95% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin tuaj në BE. Kemi rrugë të gjatë përpara, por do të vijë shumë shpejt” – shtoi Kos.
“Fillimi i fundit” për negociatat
Kryeministri Edi Rama e cilësoi Konferencën e 8-të Ndërqeveritare si një tjetër “gur kilometrik” në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në konferencën e përbashkët me komisioneren europiane Marta Kos dhe përfaqësuesen e presidencës së Këshillit të BE-së, Marilena Raouna, Rama tha se Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë kapitujt negociues brenda 11 muajve, një ritëm që ai e quajti rekord.
