Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi sërish paketën e re fiskale të qeverisë, duke e cilësuar atë si një barrë të rëndë për qytetarët me të ardhura të ulëta, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme.
Në një komunikim publik nga Facebook, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërmarrë ndryshimet në sistemin e taksave pa paralajmërim dhe pa konsultim publik.
Sipas kryedemokratit, ndryshimet në skemën e TVSH-së do të sjellin rritje të çmimeve për një pjesë të konsiderueshme të produkteve, pavarësisht uljes së taksës për 52 artikuj bazë. Ai pretendoi se përfshirja e dyqaneve të vogla në skemën e TVSH-së do t’i detyrojë ato të rrisin çmimet me 6%.


