Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bekë Berisha, ka deklaruar se mbledhja e këtij komisioni ka pasur kuorum dhe se puna do të vazhdojë, pavarësisht largimit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Berisha tha se në mbledhje kishte kuorum, ndonëse në të mungonte një anëtar nga Lista Serbe. Ai u shpreh se shqetësimet e ngritura nga deputetët e PDK-së duhet të trajtohen si çështje që prekin të gjithë deputetët dhe jo vetëm një subjekt politik.
“Ishim në Komision për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kuorum kishte në mungesë të një personi nga Lista Serbe. Edhe do të vazhdojmë punën, po patëm reagim nga deputetët e PDK-së ashtu qysh e shpjeguan ata. Kjo çështje nuk është veç e një partie, është e të gjithëve. Edhe i kisha lutë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, me dhanë kontributin e vet më së pari që ne të stabilizohemi e të kemi komisione të rregullta, po edhe të kemi parlament e të mund të debatojmë”, tha Berisha.
Kryetari i komisionit ka paralajmëruar se Kosova ndodhet përballë një situate të ndërlikuar politike, ndërsa ka kërkuar nga deputetët që të angazhohen për tejkalimin e ngërçit institucional.
Ai tha se Kuvendit i kanë mbetur vetëm disa ditë nga mandati aktual, nëse nuk shkohet sërish në zgjedhje, duke shprehur shqetësimin se mungesa e komunikimit mes subjekteve politike mund ta çojë vendin përsëri drejt zgjedhjeve.
“Duhet me ditë që jemi me afat edhe 4-5 ditë, domethënë kemi mandat nëse nuk shkojmë në zgjedhje. Sikur jemi mësu, domethënë jemi që tri herë tu shku në zgjedhje, ka mundësi që shkojmë prapë për shkak të moskomunikimit të mirëfilltë, për shkak të mosinteresimit, për shkak se po na marrin, domethënë temat edhe gjërat po na shtyjnë përpara e pa rolin shumë të deputetëve. Edhe çdo deputet e ka për detyrë, e ka për obligim, sepse nuk ka tjetër kush këtu pos deputetëve të të gjitha partive politike për me kallëzu qysh me dalë na prej këtij ngërçi e prej kësaj nyje”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar situatën në Kosovë dhe se, sipas tij, çështja nuk duhet të shihet vetëm në raport me një organizatë apo me disa individë, por si një çështje që lidhet me të ardhmen e vendit.

