Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se vendi po përballet me një situatë të ndërlikuar, të pasigurt dhe të dëmshme për ekonominë.
Në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova, Tahiri deklaroi se ekonomia e Kosovës po rrëshqet drejt një rënieje të vazhdueshme dhe se qytetarët po përballen me mungesë të mjeteve financiare për nevojat bazike.
Ai akuzoi Qeverinë në detyrë të Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e rreth 2 miliardë eurove që, sipas tij, u takojnë qytetarëve.
“Situata në vend mund të përmblidhet me dy apo tri konstatime: është një situatë mjaft problematike, pastaj shumë e rrezikshme dhe do të thoja edhe shumë e komplikuar. Pse është problematike? Sepse tani Kosova po operon për më shumë se një vit me një qeveri dhe kuvend jofunksional. I gjithë aparati i shtetit, që përbëhet nga një gamë e gjerë institucionesh, është në pritje të konstituimit të qeverisë për të mundur që të hyjë në funksion buxheti, i cili është i qytetarëve dhe duhet të shkojë te institucionet e, për rrjedhojë, ekonomia te jeta” , tha Tahiri.
“Është e rrezikshme. Fillimisht, po flas pak për ekonominë. Po e shoh se secili e merr atë daljen e lehtë, gjendja ekonomike në vend, për paranë, është momentalisht e bllokuar nga sistemi bankar, sepse nuk ka projekte të mëdha. Pra, është i bllokuar edhe suficiti i këtij mandati që është mbi 2 miliardë. Pra, 2 miliardë euro të qytetarëve që nuk kanë hyrë në punë. Për rrjedhojë, nuk ka cash, nuk ka ekonomi”, theksoi ai.