Vendimi i Qeverisë në detyrë për miratimin e pakos për përballje me inflacionin 2.0, e cila parasheh ngritjen e shtesave për lehona dhe ndarjen nga 100 eurove për pensionistët, studentët, fëmijët dhe punëtorët e sektorit privat ka nxitur reagime të shumta në vend.
Ky veprim i qeverisë i marrë dy javë para zgjedhjeve është kritikuar ashpër nga pozita, shoqëria civile dhe njohësi e rrethanave politike në vend.
Ata kanë vlerësuar se kjo është blerje e pastër votave nga qytetarët e varfër të Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se kjo është blerje e votave dhe propagandë.
Në profilin e tij në Facebook, kreu i LDK-së ka shkruar se kjo është ofendim.
“Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!”, ka shkruar ai, duke shtuar se populli i Kosovës nuk blihet.
“Populli i Kosovës nuk blihet. E ardhmja e tyre nuk është në shitje. Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës!”, ka shkruar ai.
Vendimi është kritikuar edhe nga kandidatja e PDK-së për deputete, Ariana Musliu-Shoshi.
Ajo ka bërë me dije shteti nuk ndërtohet me lëmosha elektorale.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për një qeveri që i varfëron gjatë gjithë mandatit, e provon ta blejë dinjitetin e tyre me 100 euro! Shteti nuk ndërtohet me lëmosha elektorale, por me dinjitet, zhvillim dhe shpresë për të ardhmen”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.
Kurse, kandidati i PDK-së për deputet, Artan Behrami, e ka ftuar prokurorinë që të merret me këtë veprim të Qeverisë.
“Prokuroria duhet tani të zbarkojë në Qeverinë e Kosovës. Kjo është blerje klasike e votës, është ndikim i drejtpërdrejtë te votuesit. Sipas Kodit Penal të Kosovës: ‘keqpërdorimi i varësisë ekonomike/profesionale ndikon te votuesi për të votuar në një mënyrë të caktuar ose të mos votojë, dënohet me 1 deri në 5 vjet burgim’”, ka shkruar ai.
