Shkruan Shukri Buja
Të nderuar qytetarë të Kosovës! Të nderuar Kryetarë të subjekteve politike parlamentare!
Kosova po gjendet në një rreth vicioz të konstituimit të organeve shtetërore, një bllokadë pa dalje. As zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale.
Vendi ynë ka nevojë për një hap të guximshëm, të mençur dhe të qëndrueshëm.
Prandaj po paraqes një propozim që e konsideroj zgjidhjen më të drejtë, më të qëlluar politikisht dhe më të qëndrueshme për kohën dhe rrethanat në të cilat ndodhemi.
Kjo është një zgjidhje sfiduese, me një porosi të qartë për luftën çlirimtare dhe një mesazh të fuqishëm për drejtësinë. Janë vetë përfaqësuesit e popullit ata që, me votën e tyre, e miratuan rezolutën dhe e obliguan vetveten për procesin e Dhomave të Specializuara. Sot, po me votën e tyre, ata mund të japin verdiktin politik dhe moral të popullit për pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë.
Propozimi im, i dalë nga zemra dhe mendja, natyrisht do të ishte ish-Presidenti Hashim Thaçi. Por duke njohur qëndrimet e LVV-së, të z. Kurti, të znj. Osmani dhe të koalicionit qeverisës, e kuptoj se kjo mund të jetë e vështirë politikisht e kalueshme.
Megjithatë, ky qëndrim refuzues nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për një personalitet tjetër të luftës, një figurë për të cilën askush nuk mund të thotë se ka përkrahur Dhomat e Specializuara, që nuk përfaqëson interesa të ngushta partiake dhe nuk është figurë përçarëse.
