Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ka folur për mundësinë e ndikimit që një vendim eventual i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mund të ketë edhe në proceset e tjera që po zhvillohen në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Cadman tha se çdo vendim i mundshëm në favor të Haradinajt do të varet nga arsyetimi juridik i gjykatës dhe shkeljet e konstatuara.
Sipas tij, i vetmi mjet që GJEDNJ mund të ofrojë drejtpërdrejt është kompensimi financiar për shkelje të të drejtave të njeriut, por ai shtoi se ndikimi i vendimeve të tilla mund të shkojë përtej rastit individual.
“Shumë gjëra do të varen nga ajo se çfarë do të thuhet në vendimin e GJEDNJ për ato që zotëri Haradinaj është ankuar, i vetmi mjet veprimi që mund të ndërmarrë kjo gjykatë është kompensimi financiar për shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha ai. Ai theksoi se vendime të tilla mund të kenë implikime më të gjera në mënyrën se si zhvillohen gjykimet që janë aktualisht në proces, përfshirë edhe procedurat në Dhomat e Apelit të Gjykatës Speciale.
