Ndonëse afati kushtetues për caktimin e seancës konstituive skadon më 7 gusht, Ushtruesja e Detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca do të mbahet më 6 gusht.
Caktimi i kësaj date ka nxitur reagime nga partitë ish-opozitare, të cilat e kanë cilësuar vendimin si të vonuar dhe kanë kritikuar mungesën e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online tha se 6 gushti ishte data e fundit e mundshme për thirrjen e seancës, duke kritikuar zvarritjen e procesit.“Me e shiku me data dhe me kalendar, nuk ka pasur datë më të vonshme. Është data e fundit që ka pasur mundësi me u caktu seanca konstituive. Edhe nuk kam koment për gatishmërinë e partisë në pushtet për formimin e institucioneve. Kjo është me e zgjatë një pe derisa të këputet, që me e testu edhe durimin tonë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, seanca është dashur të thirrej shumë më herët, pasi nuk ka pasur pengesa për formimin e institucioneve.
“Sa më herët që është e mundur. Bile nuk ka qenë as arsyeja as pjesa e LDK-së, se seancën kanë mund me e konstituu edhe më herët, edhe me e formu qeverinë. Sa për, si me thënë, shkëmbimin e pozitave për qeverisje, Vetëvendosja e ka bërë edhe në legjislaturën e kaluar, pra nuk ka qenë asnjëherë problem formimi i qeverisë e pastaj negocimi i pozitave të ndryshme për marrëveshje”, tha Ymeri.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Ymeri u shpreh skeptike se aktualisht ekziston vullnet politik apo një emër konkret që mund të sigurojë mbështetje.
“Me e gjyku momentumin aktual dhe qysh shihet, nuk ka ndonjë farë shprese ose potencialisht një kandidat. Për shembull, edhe tash, sot mundet me e propozu Vetëvendosja një kandidat për president. Nuk do të thotë patjetër me mbajtë konferencë për shtyp, një eksponent i Vetëvendosjes mundet me e tregu një kandidat për president, edhe e shohim sa është përkrahja për atë kandidat ose kandidate. Po qysh po shihet, nuk e kanë as interesin për këtë çështje, se me formimin e institucioneve dhe me stabilizimin e vendit, rritet edhe transparenca edhe llogaridhënia për Vetëvendosjen, e që nuk është aspak në favor të tyre”, thekson ajo.
Ajo shtoi se përgjegjësia për propozimin e kandidatit për president i takon shumicës parlamentare.
“Ata i kanë votat shumicë. Edhe në pushtetet e tjera, edhe në vendet e tjera, ai që e ka shumicën, ai e ka edhe të drejtën më të madhe të propozimit. Ne nuk jemi 100 njerëz me i propozu, tani Vetëvendosja, nuk jemi në pasarelë, nuk jemi duke garuar për miss, edhe me thënë “kjo po më pëlqen, kjo s’po më pëlqen, kësaj po ia vendosi notën tetë ose nëntë”. E kanë interesin e vendit, i njohin plotësisht mirë figurat tona kombëtare, edhe munden me e propozu një vetë e pastaj me shiku se sa është përkrahja në përgjithësi”, theksoi Ymeri.
