Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ka bërë thirrje për reflektim dhe përgjegjësi nga të gjitha partitë politike, duke theksuar se vetëm përmes kompromisit mund të zhbllokohet situata politike në vend dhe të zgjidhen institucionet, përfshirë edhe presidenti.
Bytyqi tha se, megjithëse tashmë është bërë praktikë që Kuvendi të thirret në momentet e fundit, më e rëndësishmja është që procesi të prodhojë rezultate.
“Fatkeqësisht ne jemi mësuar me këto situata që të thirret Kuvendi në ditët e orët e fundit. Mirëpo nuk ka peshë ajo nëse kemi rezultat pozitiv. Nëse kemi rezultate pozitive, kemi frymë të mirë dhe po shkojmë rrugës së duhur”, u shpreh ajo.
Deputetja e AAK-së theksoi se përgjegjësia për tejkalimin e ngërçit institucional duhet të ndahet mes të gjitha subjekteve politike.
“Të gjithë duhet të marrin përgjegjësi nga pak. E dimë që partia e parë, LVV, është përgjegjëse, por edhe partive të tjera opozitare u takon përgjegjësia që të japin kontribut dhe të lëshojnë pe të dyja, si pozita ashtu edhe opozita, që të reflektojnë e të japin kontribut e të ecim si shtet, sepse kemi mbetur mbrapa. Ka ardhur koha e duhur për të reflektuar”, deklaroi Bytyqi në dukagjin.
Ajo u bëri thirrje deputetëve që, pavarësisht përkatësisë politike, të vendosin interesin e shtetit mbi interesat partiake.
