Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do t’i intensifikojë përpjekjet gjatë këtyre ditëve për zgjedhjen e presidentit, ka thënë të merkurën shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci. Në anën tjetër, partitë opozitare kanë kërkuar më shumë seriozitet nga Kurti për këtë temë.
Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se do të bëjnë gjithçka për të shmangur zgjedhjet.
“Kurti është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si kryetar i LVV-së dhe përfaqësues i yni. Besoj se gjatë këtyre ditëve do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe presidenti të votohet brenda afatit që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se duhet më shumë seriozitet dhe se Kurti ende s’i ka dërguar ftesë zyrtare PDK-së për këtë çështje.
“Jemi të interesuar që të luajmë rolin tonë pozitiv dhe konstruktiv që vendit t’i japim sa më parë institucione. Por përgjegjësi kryesor është shumica parlamentare. PDK-ja i ka 22 deputetë. Kuvendi i ka edhe 98 deputetë të tjerë që të jenë të mjaftueshëm që t’i zgjedhin të gjitha institucionet. LVV dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duhet ta trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit me seriozitet dhe përgjegjësi që një situatë e tillë imponon. Tash është radha që LVV-ja deklaratat e saj publike t’i konkretizojë në një letër të shkruar që PDK do ta shqyrtojë. Deri tani nuk kemi pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga LVV”, ka thënë Çitaku.
Për zgjedhjen e presidentit ka folur edhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku. Edhe ajo ka thënë se zgjidhja për këtë çështje varet nga partia në pushtet.
“Është tepër e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që Gjykata Kushtetuese ka vënë afate të qarta. Duhet seriozisht të bëhen diskutime intensive me qëllim të daljes nga kjo situatë dhe për t’i dhënë vendit një president. Ne presim që bisedimet të jenë gjatë ditëve të mbetura. Varet nga ata që kanë maksimumin e votave, por rreziku është shumë i madh që të shkojmë në zgjedhje në mungesë zgjidhjeje. Pa vullnetin politik të tyre nuk mund t’i jepet zgjidhje vendit”, ka thënë ajo.
