Dita e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së në Gjykatën Speciale përfundoi të hënën me kërkesën e Prokurorisë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen fajtorë.
Prokurori Metthew Holing në fjalën përmbyllëse tha se dokumentacioni gjyqësor i kësaj çështjeje tregon historinë se të akuzuar, duke e bërë atë që kishin thënë se do ta bënin, e kanë shtyrë Prokurorinë të kërkojë që ata të shpallen fajtorë “dhe janë fajtorë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
“I gjithë dokumentacioni gjyqësor i çështjes tregon se të akuzuarit, përmes abuzimit të pozitës dhe strukturave që kanë drejtuar, kanë vepruar me qëllim të përbashkët kriminal”, tha ai.
Sipas tij, ata “kanë ruajtur dhe avancuar fokusin e viteve të mëhershme të UÇK-së se kundërshtarët po u kushtonin shumë atyre, në kuptimin që nuk po i lejonin kontroll në Kosovë. Ata kanë nxjerrë deklarata që kanë dënuar e kërcënuar dhe që janë zotuar për t’i ndëshkuar kundërshtarët dhe në fund këta kundërshtarë u ndëshkuan, natyrisht”.
Anëtarë të tjerë të prokurorisë u përpoqën t’i hedhin poshtë argumentet e mbrojtjes lidhur më të akuzuarit duke sjellë kundërargumente.
